Një sulm kibernetik ka vënë në shënjestër Drejtorinë e Hetimit Anti-Mafia (DIA) në Itali, institucionin e Ministrisë së Brendshme që merret me luftën kundër krimit të organizuar.

Fillimisht, disa media italiane raportuan për një vjedhje të mundshme të të dhënave konfidenciale, të cilat mund të përmbanin informacione mbi hetime të rëndësishme ndaj grupeve kriminale.

Megjithatë, në një reagim zyrtar, DIA ka mohuar që hakerat të kenë arritur të depërtojnë në të dhënat sensitive të institucionit. Sipas sqarimit, ata kanë mundur vetëm të kopjojnë informacione dhe materiale tekstuale që ishin publikuar më parë në faqen zyrtare të drejtorisë.

Dyshimet janë se sulmi mund të ketë qenë pjesë e një përpjekjeje për të siguruar informacione sekrete, në prag të një takimi të rëndësishëm të drejtuesve të forcave policore evropiane, që pritet të zhvillohet në ditët e ardhshme.

Ndërkohë, Prokuroria e Romës vijon hetimet antiterrorizëm për të zbardhur autorët e sulmeve hibride të javës së kaluar, të cilat shkaktuan ndërprerje dhe probleme në trafikun ajror, si dhe në sistemet e rrjeteve të supermarketeve në disa vende të Evropës.