Ndahet nga jeta në moshën 52-vjeçare regjisori fitues i çmimit Oscar

Sebastian Lelio, regjisori i njohur, fitues i çmimit Oscar për filmin “A Fantastic Woman”, është ndarë nga jeta.
Lelio ndërroi jetë në moshën 52-vjeçare. Lajmin e trishtë e ka bërë të ditur partnerja e tij, Amalia Kassai përmes një postimi në Instagram, ku ka përmendur probleme shëndetësore, pa zbuluar shkakun e saktë të vdekjes.
“Kujtimi i tij do të mbetet përgjithmonë mes nesh. Ai ishte një person i mrekullueshëm, që kontribuoi në kulturën kiliane në momente të rëndësishme të historisë së saj”, thuhej në njoftim.
Sipas raportimeve të mediave kiliane, regjisori ka ndërruar jetë në banesën e tij në Las Condes, në Santiago.
Lelio u bë i njohur ndërkombëtarisht me filmin “Gloria” (2013), i cili u vlerësua në Festivalin e Filmit në Berlin, ku aktorja kryesore Paulina García fitoi çmimin “Ariu i Argjendtë” për Aktoren më të Mirë.
Suksesi i tij kulmoi në vitin 2017 me filmin “A Fantastic Woman”, me protagoniste aktoren transgjinore Daniela Vega. Filmi rrëfen historinë e një gruaje, e cila përballet me paragjykimet dhe diskriminimin pas vdekjes së partnerit të saj.
Vepra u vlerësua me çmimin Oscar për Filmin më të Mirë Ndërkombëtar, duke u bërë një moment historik për kinematografinë kiliane. Përtej suksesit artistik, filmi nxiti edhe një debat të gjerë shoqëror mbi të drejtat e personave transgjinorë në Kili.
Gjatë karrierës së tij, Lelio realizoi edhe disa filma të tjerë të vlerësuar, mes tyre “Disobedience”, me Rachel Weisz dhe Rachel McAdams, “Gloria Bell”, me Julianne Moore, si dhe “The Wonder”, me Florence Pugh.




