Alarm te Bayern, Neuer dëmtohet sërish në këmbë, pritet të qëndrojë të paktën dy muaj jashtë

Alarm te Bayern, Neuer dëmtohet sërish në këmbë, pritet të qëndrojë të paktën dy muaj jashtë

16:50, 09/11/2026

Fitorja 2-1 e Bayernit ndaj Mainzit u shoqërua me një lajm shqetësues për bavarezët. Manuel Neuer u detyrua të largohej i dëmtuar nga fusha pak para përfundimit të pjesës së parë, duke rikthyer shqetësimet për problemet fizike që e kanë shoqëruar gjatë javëve të fundit.

Ndeshja ishte historike për portierin 40-vjeçar, i cili me aktivizimin si titullar u bë lojtari më i moshuar që ka luajtur ndonjëherë për Bayernin në Bundesligë, në moshën 40 vjeç e 225 ditë. Neuer la pas rekordin e Bernd Dreher, i cili në vitin 2007 kishte luajtur në moshën 40 vjeç e 198 ditë.

Megjithatë, rekordi personal u shoqërua me një moment të hidhur. Në minutën e 40-të, gjatë një goditjeje dënimi të Mainz, Neuer tentoi të largonte topin, por nuk arriti ta kontrollonte pas një devijimi të lehtë me kokë nga Jonathan Tah. Topi përfundoi te Lee, i cili shënoi për vendasit.

Në të njëjtin moment, portieri gjerman mbeti i shtrirë në fushë, duke mbajtur këmbën e djathtë. Pas ndihmës mjekësore, ai u largua me stafin e Bayernit dhe u zëvendësua nga Jonas Urbig.

Për fatin e bavarezëve, goli i Mainz u anulua pas ndërhyrjes së VAR-it, për shkak të pozicionit jashtë loje. Mësohet se ai do të qëndrojë të paktën dy muaj jashtë.

Dëmtimi i Neuer është veçanërisht shqetësues pasi portieri ka pasur probleme të përsëritura me një irritim të tendinave në këmbë. Pas ndeshjes së Champions League kundër Atletico Madridit, të fituar 2-0 nga Bayern, ai kishte pranuar se kishte ndier dhimbje gjatë ecjes, madje edhe në momentin kur zgjohej në mëngjes.

Sa i përket ndeshjes, Bayern arriti të marrë tri pikët. Joshua Kimmich zhbllokoi rezultatin në minutën e 14-të, ndërsa Lennart Karl dyfishoi shifrat në minutën e 57-të. Mainz ngushtoi diferencën me Tietz në minutën e 90-të plus 3, por pa arritur të shmangte humbjen.

Kështu, bavarezët festuan një tjetër fitore në Bundesligë, por vëmendja tashmë është përqendruar te gjendja fizike e Neuer, dëmtimi i të cilit mund të kthehet në një problem serioz për skuadrën.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco