Një zyrtar i Ministrisë së Ekonomisë dyshohet se ka kërcënuar me armë djalin e ish-deputetes së Kuvendit të Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi, në ambientet e ministrisë gjatë ditës së sotme.
Sipas informacioneve të publikuara, i dyshuari është Sami Shaqiri, punonjës i Ministrisë së Ekonomisë, i cili është arrestuar nga Policia pas ngjarjes.
Të lidhura
None found
Arrestimin e tij e ka konfirmuar për Gazetën Sinjali ish-deputetja Donika Kadaj-Bujupi.
Dyshohet se ngjarja erdhi pas një përplasjeje lidhur me një komision disiplinor. Mosmarrëveshja raportohet se nisi kur djali i ish-deputetes nuk pranoi të merrte pjesë në komision, duke arsyetuar se ishte epror i Shaqirit.
Para incidentit, Shaqiri dyshohet se i kishte dërguar me email një kërkesë për plotësimin e formularit. Bujupi, nga ana e tij, i ishte përgjigjur që Shaqiri ta plotësonte dokumentin vetë dhe t’ia dorëzonte më pas për nënshkrim.
Situata dyshohet se u përshkallëzua kur Shaqiri e ndoqi Bujupin deri në tualetin e ministrisë, ku pretendohet se e kërcënoi me armë.
Policia e Kosovës e ka arrestuar Shaqirin pas incidentit.







