Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural parashikon një buxhet prej rreth 18 miliardë lekësh për vitin 2027, me një rritje prej 10% krahasuar me buxhetin fillestar të këtij viti.
Gjatë prezantimit të projektbuxhetit në komisionin parlamentar, ministri Andis Salla bëri të ditur se fondet do të orientohen drejt mbështetjes së fermerëve, zhvillimit rural, ujitjes dhe kullimit, sigurisë ushqimore, si dhe përmbushjes së detyrimeve që lidhen me integrimin europian.
Programi i zhvillimit rural do të përfitojë rreth 8.4 miliardë lekë, ose afërsisht 47% të buxhetit të përgjithshëm. Nga fondet shtesë të planifikuara për këtë program, 100 milionë lekë do t’i shtohen Skemës Kombëtare të Mbështetjes së Fermerëve.
Sipas ministrit, synimi është zgjerimi i pagesave direkte, mbështetja e të rinjve që investojnë në bujqësi dhe financimi i investimeve në ferma.
Salla theksoi se politika e mbështetjes do të orientohet gjithnjë e më shumë drejt prodhimit real dhe konsolidimit të fermave, për të rritur konkurrueshmërinë e sektorit.
“Por ndryshimi që kërkojmë nuk është vetëm financiar. Po kalojmë gradualisht nga mbështetja e fragmentuar drejt një modeli që shpërblen prodhimin real, nxit bashkëpunimin ndërmjet fermerëve dhe konsolidimin e fermave. Duam më pak kosto për njësi prodhimi, më shumë akses në treg dhe një sektor të aftë të konkurrojë në tregun e përbashkët evropian”, u shpreh ministri.
Një tjetër zë i rëndësishëm i projektbuxhetit është siguria ushqimore, për të cilën janë parashikuar rreth 3 miliardë lekë, 3% më shumë se në vitin 2026.
Nga kjo shumë, 371 milionë lekë do të përdoren për investime. Ministri bëri të ditur se do të forcohen kontrollet përgjatë gjithë zinxhirit ushqimor, nga ferma deri në treg, si dhe gjurmueshmëria dhe identifikimi i produkteve të pasigurta.
“Do të forcojmë kontrollin e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit përgjatë të gjithë zinxhirit, nga ferma te tregu; gjurmueshmërinë dhe identifikimin e produkteve të pasigurta; identifikimin dhe regjistrimin e kafshëve, survejancën veterinare dhe kontrollin fitosanitar”, deklaroi Salla.
Ai njoftoi gjithashtu se do të zgjerohen kapacitetet laboratorike për analizat e substancave dhe mbetjeve që mund të gjenden në produktet ushqimore.
“Në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë synojmë më shumë metoda të validuara e të akredituara, përfshirë analizat për nitratet, metalet e rënda, mbetjet veterinare, vajin e ullirit dhe mjaltin. Siguria ushqimore është njëkohësisht mbrojtje e konsumatorit dhe kusht për të hapur tregje të reja”, u shpreh ministri.
Për ujitjen, kullimin dhe mbrojtjen nga përmbytjet janë parashikuar 4.3 miliardë lekë, me një rritje prej 19.3% krahasuar me buxhetin fillestar të vitit 2026.
Investimet synojnë përmirësimin e sistemeve të ujitjes në rreth 13 mijë hektarë tokë bujqësore dhe ndërtimin ose rehabilitimin e 10 kilometrave argjinatura.
Ndërkohë, 400 milionë lekë janë planifikuar për përgatitjen e projekteve në lumenjtë Ishëm, Erzen, Shkumbin, Seman dhe Vjosë, si dhe në fushat e Torrovicës dhe Maliqit.
Në projektbuxhetin e vitit 2027, peshkimi do të përfitojë 727 milionë lekë, 25% më shumë se një vit më parë. Gjithashtu, programi i këshillimit bujqësor synon të informojë dhe asistojë rreth 93 mijë fermerë në të gjithë vendin.
Një tjetër ndryshim i parashikuar është shtimi i 50 punonjësve në strukturën e Ministrisë së Bujqësisë, për të përballuar detyrimet që lidhen me negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Për këtë arsye, fondi për paga dhe sigurime shoqërore pritet të rritet nga 413 milionë lekë në vitin 2026 në 477 milionë lekë në vitin 2027, ose 15.6% më shumë.
Ministri Salla argumentoi se zgjerimi i administratës lidhet drejtpërdrejt me nevojën për të përmbushur angazhimet europiane dhe për të forcuar kapacitetet institucionale.
“Parashikohet shtimi i organikës së aparatit të ministrisë me 50 punonjës, për të mbështetur përgatitjen dhe zbatimin e politikave, përafrimin ligjor dhe angazhimet e negociatave evropiane. Një administratë profesionale është kusht për të kthyer financimin në shërbime dhe rezultate”, deklaroi ai.
Salla sqaroi se rritja e fondit të pagave është e lidhur me këtë shtim të personelit, në funksion të detyrimeve që burojnë nga negociatat për kapitujt 11, 12 dhe 13 me Bashkimin Europian.
