Kushtetuesja shqyrton rregulloren e GJKKO-së, kalon në seancë kërkesën e AGSH për pezullimin e dispozitave që kufizojnë punën e gazetarëve

09/11/2026 16:01

Gjykata Kushtetuese ka vendosur kalimin për shqyrtim në seancë plenare publike të çështjes që lidhet me rregulloren e brendshme të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), kërkesë e Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë.

Objekt i kërkesës është shfuqizimi si i papajtueshëm me Kushtetutën e Shqipërisë dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut i vendimit nr. 49, datë 17.07.2026, të Këshillit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë.

Kërkesa lidhet me dispozitat e Rregullores së Brendshme “Për sigurinë, rendin, solemnitetin dhe rregullat e sjelljes në ambientet e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, konkretisht ato me efekte të jashtme, procedurale, kufizuese dhe sanksionuese, ku mes tyre është dhe ndalimi i telefonit brenda në seancë.

Gjithashtu, kërkohet pezullimi i zbatimit të këtyre dispozitave deri në hyrjen në fuqi të vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.

Top Channel