Rritet me 1.6% paga minimale në Francë, nga 1 dhjetori kalon 1,500 euro

Qeveria franceze ka njoftuar rritjen e pagës minimale me 1.6%, duke filluar nga 1 dhjetori. Me këtë vendim, paga minimale do të arrijë në rreth 1,502 euro neto në muaj, me një rritje prej 23.65 eurosh. Fillimisht, kjo rritje ishte parashikuar të hynte në fuqi më 1 janar, por qeveria vendosi ta aplikojë një muaj më herët.
Ministri i Punës, Jean-Pierre Farandou, bëri të ditur se vendimi synon të mbështesë punonjësit me të ardhura të ulëta. Kryeministri Sébastien Lecornu e cilësoi këtë si rritjen e dytë më të madhe të pagës minimale në 20 vitet e fundit, duke theksuar se masa është menduar të mos ndikojë negativisht në vendet e punës.
Megjithatë, vendimi nuk ka bindur sindikatat. Kreu i sindikatës CFDT, Marylise Léon, e cilësoi rritjen të pamjaftueshme, ndërsa drejtuesja e CGT-së, Sophie Binet, e quajti atë “thërrime”. Ajo bëri gjithashtu thirrje për protesta të reja më 17 nëntor, duke kërkuar rritje më të ndjeshme të të ardhurave për punonjësit.
Franca renditet ndër vendet europiane me pagat minimale më të larta. Sipas të dhënave të Eurostat për vitin 2024, 12.7% e punonjësve në Francë paguheshin me pagën minimale ose pranë saj, krahasuar me 8% në Gjermani dhe 3.5% në Holandë.
Rritja e pagës vjen në një periudhë të tensionuar në Francë, ku protestat për koston e jetesës, shërbimet publike dhe situatën politike janë përshkallëzuar. Qeveria po përpiqet të lehtësojë pakënaqësinë sociale, ndërsa përballet me kufizime financiare për shkak të borxhit publik në rritje.
/vizionplus.tv




