Bashkitë me monumente, por pa fonde! Buxhet i kufizuar dhe mungesë specialistësh për trashëgiminë

Pasuria e trashëgimisë kulturore në Shqipëri nuk përputhet gjithmonë me investimet për ruajtjen dhe promovimin e saj. Një numër bashkish, edhe pse kanë në territorin e tyre monumente dhe potencial të konsiderueshëm për zhvillimin e turizmit kulturor, vijojnë të përballen me buxhete të kufizuara dhe mungesë specialistësh.
Kjo është një nga gjetjet e dy raporteve kombëtare për gjendjen e kulturës në Shqipëri, të prezantuara në kuadër të projektit Cultur-AL, me mbështetjen e Bashkimit Evropian.
“Ajo që kemi vënë re është që pjesa më e madhe e fondeve që shkojnë për sektorin e kulturës përthithet nga, do të thosha, 10% e bashkive në vend. Ndërsa bashkitë e tjera, të cilat janë të shpërndara në territor malor, apo bashki më të vogla që kanë 10 mijë banorë, kanë potencial për të zhvilluar turizmin kulturor, por nuk kanë burimet në dispozicion, qofshin në staf, por edhe në fonde”, tha Aida Ciro, eksperte e Trashëgimisë Kulturore
Destinacione të njohura për trashëgiminë kulturore, si Gjirokastra dhe Berati, u përmendën në analizën e problematikave që lidhen me kapacitetet njerëzore dhe financiare. Sfidat pritet të marrin një tjetër dimension edhe me reformën e re administrativo-territoriale, e cila do të zgjerojë territorin që duhet të administrojnë disa prej bashkive.
“Kjo do të thotë që bashkitë, në bashkëpunim me ministritë e linjës, të Turizmit, Financave e të tjera, do të duhet të planifikojnë në mënyrë më të kujdesshme, në mënyrë që ambiciet që ne kemi në nivel kombëtar të përkthehen lokalisht. Pasi, mos harrojmë, flasim për Shqipëri turistike. Turizmi nuk ndodh thjesht në Tiranë”, shtoi Ciro.
Dy raportet, që analizojnë politikat kulturore në periudhën 2020–2024 dhe zhvillimet e vitit 2025, synojnë të shërbejnë si bazë për përmirësimin e politikave në këtë sektor. Qëllim mbetet që pasuria kulturore të mos jetë vetëm një potencial i pashfrytëzuar, por të shndërrohet në një mundësi konkrete zhvillimi ekonomik për komunitetet lokale.




