Mesazhe mashtruese në emër të Postës Shqiptare dhe DPSHTRR, kujdesi që duhet të tregojnë qytetarët

Qytetarët në Shqipëri po përballen me një tjetër formë mashtrimi online, përmes mesazheve SMS që pretendojnë se dërgohen nga institucione dhe shërbime të njohura, si Posta Shqiptare dhe Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR). Mesazhet vijnë nga numra të huaj me prefiksin +212, që i përket Marokut, dhe përmbajnë lidhje të dyshimta, të cilat mund të përdoren për vjedhjen e të dhënave personale dhe financiare të qytetarëve.
Dy raste të tilla, të dokumentuara përmes mesazheve të mbërritura në telefonat e qytetarëve, përdorin të njëjtën skemë mashtrimi, por me pretendime të ndryshme.
Në rastin e parë, dërguesi prezantohet si ekipi i shërbimit të Postës Shqiptare dhe njofton marrësin se një pako nuk mund të dorëzohet për shkak të një problemi me adresën. Qytetarit i kërkohet të përditësojë adresën përmes një lidhjeje interneti, me pretendimin se në të kundërt paketa do të mbahet në një automatik postar. Mesazhi përmban edhe një kod marrjeje, duke krijuar përshtypjen e një njoftimi real për një dërgesë.
“Posta Shqiptare informon se po qarkullon një mesazh mashtrues, i cili u dërgohet qytetarëve në emër të Postës Shqiptare, duke i njoftuar për mbërritjen e një pakoje dhe duke u kërkuar të përditësojnë adresën përmes një lidhjeje (linku).
Ky mesazh nuk është dërguar nga Posta Shqiptare.
Ju bëjmë thirrje:
🔹 Mos klikoni në linkun e përfshirë në mesazh.
🔹 Mos iu përgjigjni SMS-së.
🔹 Mos ndani të dhëna personale apo bankare.
Për çdo paqartësi mbi dërgesat tuaja, informohuni vetëm përmes kanaleve zyrtare të Postës Shqiptare”, thuhet në njoftimin e Postës Shqiptare.
Në rastin e dytë, mashtruesit përdorin emrin e DPSHTRR-së, duke pretenduar se automjeti i qytetarit është përfshirë në një shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Për të parë detajet, marrësit i kërkohet të hyjë në një faqe interneti që imiton komunikimin zyrtar të institucionit dhe të vendosë numrin e targës së automjetit.
Çfarë duhet të bëjnë qytetarët?
* Të mos klikojnë në lidhjet e dërguara nga numra të panjohur.
* Të mos japin të dhëna personale, numra kartash bankare, fjalëkalime apo kode verifikimi.
* Të mos u përgjigjen mesazheve me udhëzime si dërgimi i fjalës “PO” për aktivizimin e lidhjeve.
* Të verifikojnë çdo njoftim përmes faqeve dhe kanaleve zyrtare të institucioneve.
* Të raportojnë dhe bllokojnë numrat nga të cilët vijnë mesazhe të tilla.
Nëse kanë klikuar në lidhje dhe kanë vendosur të dhëna bankare, qytetarët duhet të kontaktojnë menjëherë bankën për të bllokuar kartën ose për të marrë masa mbrojtëse.




