Përvoja elitare serbe e përmbysjes së Milosheviçit dhe Aleksandër Vuçiçit dhe përgjegjësia e elitës shqiptare

Përvoja elitare serbe e përmbysjes së Milosheviçit dhe Aleksandër Vuçiçit dhe përgjegjësia e elitës shqiptare

Nga Ndriçim Kulla - 09/11/2026

Jo rrallë ndodh që ndryshimi nuk mund të vijë më vetëm nga konsumimi i zakonshëm i politikës, nga përplasjet parlamentare apo nga rivalitetet e partive, por kërkon një energji të re shoqërore, një ndërgjegje më të gjerë qytetare dhe, mbi të gjitha, një bashkim të atyre forcave që kanë autoritetin moral dhe intelektual për t'i dhënë shoqërisë drejtim. Në këto momente, intelektuali nuk mund të mbetet thjesht spektator, komentues i zhvillimeve apo vëzhgues i distancuar i krizës, sepse heshtja e tij, pavarësisht arsyeve që mund ta justifikojnë, lë një boshllëk që zakonisht mbushet nga propaganda, oportunizmi dhe interesat e ngushta politike.

Përvoja e Serbisë në dy momente të ndryshme historike, përmbysja e Slobodan Milosheviçit në vitin 2000 dhe zhvillimet e fundit që kulmuan me fitoren parlamentare të lëvizjes studentore kundër forcës politike të Aleksandar Vuçiçit, na japin një material të rëndësishëm për të reflektuar mbi këtë përgjegjësi.

Më 5 tetor 2000, Serbia përjetoi një nga kthesat më të rëndësishme të historisë së saj moderne. Pas vitesh autoritarizmi, krizash ekonomike, konfliktesh dhe izolimi ndërkombëtar, pushteti i Milosheviçit u trondit nga një mobilizim i gjerë qytetar, i cili nuk ishte produkt i një dite dhe as i një revolte të rastësishme. Pas tij qëndronin vite organizimi, rezistence studentore, përpjekjesh të opozitës, veprimtarie të shoqërisë civile dhe medias së pavarur. Lëvizja studentore Otpor u bë një nga simbolet më të njohura të kësaj rezistence, ndërsa bashkimi i opozitës rreth një kandidati të përbashkët dhe mobilizimi masiv pas zgjedhjeve të kontestuara krijuan kushtet për largimin e Milosheviçit.

Ajo që duhet të na interesojë këtu nuk është thjesht fakti se si u rrëzua një pushtet, por si një shoqëri arriti të krijonte një kundërpeshë ndaj tij. Studentët nuk u mjaftuan me protestën, por u bënë pjesë e një procesi të gjerë qytetar, ku figurat publike, intelektualët, pedagogët, gazetarët, profesionistët dhe forcat politike opozitare, me dallimet dhe kontradiktat e tyre, kontribuuan në një qëllim të përbashkët. Kjo përvojë tregoi se një lëvizje studentore mund të bëhet katalizator i ndryshimit, por për të fituar përmasa kombëtare ka nevojë për solidaritetin dhe pjesëmarrjen e shtresave të tjera të shoqërisë.

Njëzet e gjashtë vjet më vonë, Serbia përjetoi një tjetër zhvillim me rëndësi historike. Pas protestave të gjata studentore, të nxitura nga tragjedia e shembjes së strehës së stacionit hekurudhor në Novi Sad, ku humbën jetën 16 njerëz, pakënaqësia ndaj korrupsionit dhe kërkesat për përgjegjësi institucionale u shndërruan në një lëvizje të gjerë politike. Më 25 tetor 2026, lista e mbështetur nga studentët fitoi 140 nga 250 vendet e Parlamentit serb, ndërsa lista e drejtuar nga Vuçiçi mori 103 vende. Rezultatet përfundimtare u konfirmuan më 5 nëntor. Megjithatë, procesi i kalimit të pushtetit dhe formimit të qeverisë mbetet për t'u përmbyllur.

Kjo është një përvojë që meriton të analizohet me vëmendje sot në Shqipëri, jo për ta kopjuar mekanikisht, sepse çdo shoqëri ka historinë, institucionet dhe rrethanat e saj, por për të kuptuar se çfarë ndodh kur një brez i ri arrin të kapërcejë kufijtë e pakënaqësisë individuale dhe ta shndërrojë atë në një kërkesë kolektive për ndryshim. Studentët serbë nuk u mbështetën vetëm te numri i tyre dhe te forca e protestës; ata arritën të krijonin një komunikim të gjerë me shoqërinë, të fitonin solidaritetin e kategorive të ndryshme profesionale dhe të ndërtonin një alternativë elektorale që mori përmasa kombëtare.

Dhe pikërisht këtu fillon ajo që duhet t'i drejtojmë vetes në Shqipëri.

A mund të përfytyrojmë një proces të ngjashëm të zgjimit qytetar në Shqipëri, në të cilin studentët të mos mbeten vetëm në përballjen e tyre me pushtetin, por të kenë pranë pedagogët, akademikët, shkrimtarët, studiuesit, artistët, gazetarët, juristët, ekonomistët dhe personalitetet që kanë ndikim në jetën publike? A mund të krijohet një solidaritet intelektual që të mos kushtëzohet nga përkatësia partiake, nga bindjet e ndryshme politike apo nga interesat personale, por nga një përgjegjësi e përbashkët për demokracinë dhe të ardhmen e vendit?

Mendoj se kjo është një nga çështjet më të rëndësishme që duhet të bëhet pjesë e debatit shqiptar sot.

Në Shqipëri kemi parë shpesh që debati politik të kufizohet brenda rrethit të politikanëve, ndërsa intelektualët të shfaqen në mënyrë sporadike, të ndarë në qëndrime individuale, të pakuptueshëm shpesh dhe pa një zë të përbashkët për çështjet që prekin të ardhmen e shoqërisë. Disa flasin, të tjerë heshtin, një pjesë zgjedhin distancën, ndërsa të tjerë e kanë lidhur praninë e tyre publike me afërsinë ndaj pushtetit. Por një shoqëri nuk mund ta mbështesë të gjithë shpresën e saj vetëm te partitë politike, sepse demokracia nuk është vetëm mekanizëm zgjedhor; ajo është edhe kulturë e përgjegjësisë, ndërgjegje qytetare dhe aftësi për të kundërshtuar çdo përqendrim të pakontrolluar të pushtetit.

Prandaj, mbështetja e intelektualëve ndaj studentëve nuk duhet kuptuar si një thirrje për t'i vënë ata nën drejtimin e një elite tjetër, aq më pak për t'i kthyer në instrument të ndonjë force politike. Përkundrazi, studentët duhet të ruajnë pavarësinë dhe identitetin e tyre, ndërsa intelektualët duhet t'u ofrojnë përvojën, dijen, autoritetin publik dhe mbështetjen që mund të mos e kenë të lehtë ta sigurojnë të vetëm. Ata mund të kontribuojnë në organizimin e debateve, në formulimin e kërkesave, në mbrojtjen e të drejtave të protestuesve, në komunikimin me institucionet dhe në krijimin e një hapësire ku brezi i ri të mos ndihet i braktisur.

Kjo do të ishte një marrëdhënie e re midis brezave, ku studentët sjellin energjinë, guximin dhe kërkesën për ndryshim, ndërsa intelektualët sjellin përvojën, mendimin kritik dhe aftësinë për t'i dhënë kësaj energjie një horizont më të gjerë shoqëror.

Por ka edhe një rrezik që duhet shmangur: instrumentalizimi politik i lëvizjeve studentore. Historia e Serbisë tregon se rëndësia e një lëvizjeje qytetare qëndron edhe në aftësinë për të ruajtur identitetin e vet, për të mos u bërë pronë e një partie dhe për të mos e ngatërruar ndryshimin e pushtetit me përfundimin e transformimit demokratik. Vetë përvoja pas largimit të Milosheviçit tregoi se rrëzimi i një udhëheqësi nuk garanton automatikisht ndërtimin e institucioneve të shëndosha. Ky është një mësim po aq i rëndësishëm sa vetë fitorja.

Në këtë kuptim, përgjegjësia e intelektualëve shqiptarë nuk është të zëvendësojnë opozitën, të krijojnë një parti tjetër apo të përcaktojnë drejtimin politik të studentëve. Përgjegjësia e tyre është të ndihmojnë në krijimin e një kulture demokratike ku asnjë pushtet nuk mund ta konsiderojë shoqërinë pronë të vetën dhe ku asnjë brez i ri të mos detyrohet të përballet i vetëm me problemet që trashëgon.

Shqipëria ka nevojë për një bashkim të tillë të energjive shoqërore, jo për një bashkim të imponuar politik. Ka nevojë për një zë intelektual që të dalë përtej ndarjeve partiake dhe të rikthejë në jetën publike atë funksion që historikisht i ka takuar mendimit të lirë: të thotë të vërtetën, të ngrejë pyetje të vështira dhe të mos pranojë normalizimin e padrejtësisë.

Sepse në fund të fundit, ndryshimet politike mund të fillojnë në sheshe, në universitete dhe në kutitë e votimit, por që ato të shndërrohen në ndryshime të qëndrueshme demokratike kërkojnë edhe një transformim të ndërgjegjes shoqërore.

Një shoqëri mund të ketë studentë që protestojnë dhe opozitë që kërkon pushtetin, por pa një elitë intelektuale që merr përgjegjësinë e vet publike, asnjë ndryshim nuk është i sigurt se do të bëhet një ndryshim historik.

Dhe shqetësimi i madh që mbetet sot për Shqipërinë është ky:

Nëse studentët shqiptarë do të bëhen nesër zëri i një kërkese të madhe për ndryshim demokratik, a do të kenë pas vetes intelektualët, akademikët, shkrimtarët dhe figurat publike të vendit, apo do të duhet të përballen përsëri të vetëm me peshën e historisë?

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco