Hetimi i SPAK për nisjen e verifikimeve pasurore ndaj ish-drejtueses së Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH), Vlora Hyseni, ka marrë shtysë nga një fletë me shënime dore, e sekuestruar në zyrat e kompanisë “EA Tobacco”.
Sipas dosjes hetimore, në këtë dokument pasqyrohej shuma prej 119.162.400 lekësh, ku përfshiheshin 19.860.400 lekë TVSH dhe 14.895.300 lekë tatim mbi fitimin, duke lënë një vlerë neto prej 84.406.700 lekësh.
Në dosjen e SPAK thuhet se e njëjta shumë rezulton në faturën e datës 21 mars 2024, të lëshuar nga kompania “Enklo Construction” për shoqërinë “Sinteza Co”, me përshkrimin “Instalim/Konfigurim”.
Ndërkohë, po atë ditë, kompania “Albascan”, e cila kishte fituar disa tendera, transferoi në llogarinë e shoqërisë “Sinteza Co” shumën prej 151.263.144 lekësh, për një faturë me të njëjtin përshkrim.
Kujtojmë se “Albascan” dhe “Sinteza Co” kishin fituar së bashku tenderin e AKSHI-t për laboratorët SMART, me vlerë kontrate 1.669.372.673 lekë.
Nga tetori 2023 deri në mars 2024, “Albascan” kishte përfituar 1.438.138.023 lekë nga transaksionet e kryera me AKSHI-n.
Nga ana tjetër, sipas SPAK, kompania “Enklo Construction” nuk kishte lidhje me teknologjinë e informacionit dhe nuk kishte kryer punimet për të cilat ishte faturuar.
Lidhur me këtë çështje, në SPAK është marrë në pyetje administratori i “Sinteza Co”, i cili ka deklaruar se nuk e njihte kompaninë “Enklo Construction” dhe se veprimet ishin kryer me udhëzimin e biznesmenit të “Albascan”, Elison Jorgjit.
Kështu, më 25 mars 2024, kompania “Sinteza Co”, në pronësi të Shkëlqim Dinos, transferoi 119.162.400 lekë në llogarinë e “Enklo Construction”, në pronësi të Enxhi Jegenit.
Ndërkohë, një ditë më vonë, kjo kompani transferoi 42 milionë lekë drejt “Fortis Beton”. Po ashtu, rezulton se u paguan edhe 290 mijë euro për automjetin tip “Range Rover”, me targa G444A, i cili është sekuestruar.
Një pjesë e gjurmëve të parave, sipas hetimeve, kanë përfunduar në Gjermani përmes kompanisë “Fortis Beton”, e cila në këtë periudhë kishte ndryshuar pronësinë.
Për transfertat dhe marrëdhëniet e shoqërisë “Fortis Beton” me kompanitë gjermane janë kryer verifikime, ndërsa në kuadër të hetimit janë marrë në shqyrtim edhe shpjegimet e personave të lidhur me këto transaksione.
Sipas deklarimeve të administruara në dosje, sugjerimi për kompaninë gjermane që do të shërbente si studio projektuese arkitekturore kishte ardhur nga një person i njohur i biznesit.
Nga llogaritë e kompanisë “Fortis Beton” rezultojnë dy transferta drejt studios gjermane të arkitekturës “Wilhelm & Co Planungsgesellschaft”, secila në vlerën 250 mijë euro, të ekzekutuara më 5 dhe 20 mars 2024.
Në total, bëhet fjalë për 500 mijë euro, të cilat, sipas dokumentacionit, ishin destinuar për projektimin e një kompleksi banimi dhe tregtar me sipërfaqe 17 mijë metra katrorë në Tiranë, projekt që nuk është realizuar.
Megjithatë, sipas verifikimeve të SPAK, në këtë kompani punësohej një prej vëllezërve të ish-drejtueses së SHISH-it.
Kjo lidhje ka ngritur dyshime te hetuesit se pagesat mund të përbënin një përfitim korruptiv për ish-drejtuesen e institucionit.
Hetimi ka zbuluar edhe një transfertë tjetër prej 450 mijë eurosh drejt kompanisë “Erd & Tiefbau Dingler GmbH”, e cila ishte anuluar më 27 shkurt 2024.
Përfaqësues i kësaj kompanie është Izet Dingler, i njohur edhe me mbiemrin Hyseni, vëllai i ish-drejtueses së SHISH-it, i cili më parë mbante mbiemrin Hyseni./ Elton Qyno - Syri. Net
© SYRI.net
Plagosi me drapër babanë e ish-partneres, Gjykata e Fierit lë në burg 52-vjeçarin
SPAK amniston Benet Becin, kërkon 2 vite burg por ti kthehet në shërbim prove
'Berisha nuk ndërhyri kurrë për pronat'/ Dëshmia e Justina Boriçit në gjyqin për kthimit e pronës së zabptuar nga 'Klubi Partizani' tek pronarët e ligjshëm