Në cirkun ku buxheti i shtetit shërbehet si pjatë kryesore, shëndetësia dhe koncesionet janë shndërruar në fushën e preferuar të akrobacisë, ku Klodjan Allajbeu xhonglon mjeshtërisht me kompanitë dhe i fut duart kudo që mundet, për të mos lënë asnjë miliard pa prekur!
Edhe kur e nxjerrin me forcë nga dera e sterilizimit, ai gjen gjithmonë mënyrën për t’u futur nga dritarja, duke dëshmuar se për oligarkët nuk ka dyer të mbyllura, por vetëm korridore tenderash që hapen me urdhër.
Pasi shtetëzimi i bujshëm u shit si një spastrim i madh klanesh, në realitet ai solli vetëm një luftë të re për të vënë dorë mbi paratë publike, pavarësisht rokadave në drejtimin e Ministrisë së Shëndetësisë.
Kulmi arriti më 20 tetor 2026, kur OSHIS shpalli fituese firmën “MSE” për lotin e pajisjeve të sterilizimit, një kompani që, sipas pretendimeve, është e lidhur drejtpërdrejt me Allajbeun dhe njerëzit e tij të besuar, e cila dikur ishte në pronësi të Arbër Teqjas.
Shifrat e kësaj gare ngrenë pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si funksionon matematika e tenderave: firma “MSE” u shpall fituese me një ofertë prej rreth 37 milionë lekësh (afërsisht 400 mijë euro), ndërkohë që në garë ishte edhe firma “Krijon”, e cila kishte ofruar vetëm 23,6 milionë lekë. Një diferencë marramendëse, e cila kërkon shpjegim për arsyet pse u zgjodh oferta më e shtrenjtë!
Kështu, ndërsa ministrat ndërrohen në karrige dhe tenderat ndryshojnë emrat në letër, Allajbeu mbetet kampioni i pashpallur i kësaj loje, duke ngritur dyshime se në këtë vend, e vetmja gjë që sterilizohet me sukses absolut është buxheti i shtetit!