Transferimi i Erion Veliajt nga burgu i Durrësit në atë të Fierit dhe takimi që ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, zhvilloi me të në ambientet e burgut, u diskutuan në Komisionin për Çështjet e Brendshme.
Gjatë raportimit, Drejtoresha e Përgjithshme e Burgjeve, Sadleva Bodo, u pyet nga opozita për rrethanat e transferimit të Veliajt, vizitën e ministrit dhe nëse këto veprime janë objekt verifikimi.
Në përgjigjen e saj, Sadleva Bodo deklaroi se dokumentacioni për transferimet është i klasifikuar dhe se për marrjen e informacionit duhet të ndiqet procedura përmes një kërkese zyrtare.
“Të premten firmosa 93 urdhra transferimi, kompetencë e drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve.
Me përgjegjësi të plotë ju them se urdhri i transferimit është klasifikuar, futet në kategorinë e akteve të klasifikuara me nivelin e kufizuar dhe me afat ruajtje dy vite.
Çdo raport, memo, vlerësim individual mbi rastin që kryhet për shkaqe sigurie futet në kategorinë ‘sekret’ dhe ruhet për 10 vite”, deklaroi Bodo.













