Pesë komuna të Kosovës diskutojnë transparencën në ndarjen e granteve për organizatat e shoqërisë civile

Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), me mbështetjen e Bashkimit Evropian (BE), ka organizuar pesë punëtori në komuna të ndryshme të Kosovës, me qëllim përmirësimin e transparencës në ndarjen e fondeve publike dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve lokale dhe organizatave të shoqërisë civile.
Përmes një postimi në Facebook, UNDP ka bërë të ditur se punëtoritë janë mbajtur në Drenas, Gjakovë, Malishevë, Istog dhe Vushtrri, në kuadër të projektit ReLOaD3.
Në këto takime, përfaqësuesit e komunave dhe të organizatave të shoqërisë civile kanë diskutuar mënyrat praktike për përmirësimin e procedurave të granteve, forcimin e mbikëqyrjes dhe rritjen e bashkëpunimit.
Diskutimet kanë përfshirë të gjitha fazat e procesit të ndarjes së granteve komunale, nga përgatitja dhe shpallja e thirrjeve publike, vlerësimi i propozimeve e deri te monitorimi i shfrytëzimit të mjeteve të ndara.
Sipas UNDP-së, përmes forcimit të bashkëpunimit ndërmjet komunave dhe shoqërisë civile, projekti ReLOaD3 synon të kontribuojë në qeverisje lokale më transparente, gjithëpërfshirëse dhe llogaridhënëse. /Telegrafi/





































