Vasili: Jemi përballë një agresioni të padrejtë, kompani shqiptare pretendojnë të drejtat mbi arkivin e RTSH-së

Drejtoresha e Përgjithshme e Radio Televizionit Shqiptar (RTSH), Eni Vasili, ka deklaruar se institucioni po përballet aktualisht me një fenomen të ri, atë të krijimit të kanaleve online që përdorin produksionet dhe materialet e arkivit të televizionit publik. Gjatë seancës dëgjimore në Komisionin për Nismat Qytetare, në kuadër të diskutimeve për “Buxhetin 2027”, Vasili ngriti shqetësimin për një fenomen që, sipas saj, po merr përmasa të reja, atë të krijimit të kanaleve në YouTube dhe platforma të tjera online, të cilat janë ndërtuar tërësisht mbi produksionet e RTSH-së.
“Ka një fenomen të ri. Po ngrihen kanale online me produksionet e RTSH-së. Ka kanale në YouTube të ngritura tërësisht me produksionet e RTSH-së, jemi në luftë ligjore të përditshme, e bëjmë me sistemin tonë dhe sistemet e rrjeteve sociale. Nuk është e thjeshtë. Gjendemi përballë një agresioni të tyre, tërësisht të padrejtë. Ka kompani shqiptare që pretendojnë të drejta autorësie mbi arkivin e RTSH-së ndër vite”, u shpreh drejtoresha e Përgjithshme.
Vasili theksoi se RTSH po përpiqet të mbrojë të drejtat mbi materialet e veta përmes procedurave ligjore dhe mekanizmave të raportimit në platformat online, por pranoi se përballja me këtë fenomen nuk është e thjeshtë.
Gjatë diskutimit ndërhyri edhe kreu i Komisionit për Nismat Qytetare, Fatmir Xhafaj, i cili reagoi ashpër për përdorimin e produkteve të televizionit publik nga subjekte të tjera.
“RTSH është grabitur. Me produktet e RTSH-së janë ngritur kanale të tëra televizive. Ka një detyrim t’ua kthejnë, dreqi e mori”, deklaroi Fatmir Xhafaj.
Vasili u pyet nëse ripërdorimi i produkteve që ndër vite kanë mbajtur siglën e RTSH-së nga kanalet e tjera televizive bëhet kundrejt pagesës dhe nëse ka kufizime ligjore për përdorimin e tyre pa pagesë. Në përgjigjen e saj, drejtoresha e Përgjithshme sqaroi se ligji parashikon tarifa të caktuara për përdorimin e materialeve të arkivit. “Sa i takon arkivit të RTSH-së, ligji përcakton tarifa të caktuara për përdorimin e materialeve të RTSH-së, por këto jepen në afate kohore të caktuara. Është për t’u hetuar nëse këto afate kanë kaluar apo jo. Ka një rregullim të kësaj gjëje. Me kalimin e viteve, shumë produkte të arkivit të RTSH-së kanë shtegtuar”, deklaroi Vasili.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



