Digjitalizimi i arkivit të RTSH-së/ Vasili: Do të financohet plotësisht nga AADF, moment historik për institucionin

Aktualitet | 35 minuta më parë

Drejtoresha e Përgjithshme e Radio Televizionit Shqiptar (RTSH), Eni Vasili, ka bërë të ditur se është siguruar financimi i plotë për digjitalizimin e arkivit të RTSH-së, pas negociatave të zhvilluara me AADF.

Gjatë fjalës së saj në Komisionin për Nismat Qytetare, në kuadër të seancës dëgjimore për “Buxhetin 2027”, Vasili e cilësoi këtë zhvillim si një moment historik për institucionin, duke theksuar rëndësinë e arkivit jo vetëm për RTSH-në, por edhe për memorien kombëtare.

“Një nga gjërat që duam të evidentojmë: RTSH, pas një negociate të gjatë me AADF, arriti të sigurojë në mënyrë të pavarur financimin e plotë të digjitalizimit të arkivit të RTSH-së”, deklaroi Vasili.

Ajo bëri të ditur se i gjithë procesi do të financohet dhe realizohet nga AADF, e cila ka marrë përsipër plotësisht këtë projekt.

“Ky proces do të realizohet nga AADF, si financimi, ashtu edhe realizimi i marrë përsipër tërësisht nga ata. E kemi quajtur moment historik, detyrë që RTSH duhet ta kishte zgjidhur në këto 36 vite. Është pengu 36-vjeçar i RTSH-së ndaj vetes dhe ndaj publikut shqiptar”, u shpreh drejtoresha e Përgjithshme.

Vasili nënvizoi gjithashtu se arkivi i RTSH-së ka një rëndësi që tejkalon përmasat e vetë institucionit, pasi përmban materiale me vlerë për historinë dhe kujtesën kolektive të vendit.

“Arkivi i RTSH-së i kalon përmasat e institucionit. Nuk është i rëndësishëm vetëm për RTSH-në, por për gjithë memorien kombëtare. Vijmë në komision me këtë lajm të mirë që duam ta ndajmë me ju”, përfundoi Vasili.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme