Janë bërë publike pamjet filmike të grabitjes me armë të një filiali bankar në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë, ngjarje e regjistruar më 2 nëntor 2026.
Në videon e publikuar shfaqet momenti kur 50-vjeçari Robert Duka, i njohur edhe me emrin Albert Duka, hyn në ambientet e bankës i veshur me rroba të zeza dhe me skafandër në kokë, në përpjekje për të mos u identifikuar.
Menjëherë pas hyrjes, ai nxjerr një pistoletë dhe kërcënon njërin prej punonjësve të bankës, duke krijuar panik te personat e pranishëm. Në pamje shihet edhe një qytetare, e cila largohet me vrap nga ambientet e filialit.
Sipas të dhënave të bëra publike nga policia, Duka dyshohet se është i përfshirë në dy grabitje me armë të kryera në Tiranë, më 2 qershor dhe 2 nëntor 2026. Ai u arrestua në kuadër të operacionit policor të koduar “Gjuetari i Bankave”.
Ndërkohë, hetimet kanë zbuluar edhe të dhëna mbi të kaluarën e tij kriminale jashtë vendit. 50-vjeçari dyshohet se ka qenë i përfshirë në 26 vjedhje të kryera në Greqi, si pjesë e një grupi kriminal.
Një tjetër detaj që është bërë publik lidhur me të arrestuarin është se bashkëshortja e tij punon në një bankë të nivelit të dytë në Tiranë.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në kuadër të hetimit, uniformat blu sekuestruan 8 200 euro, disa veshje që dyshohet se janë përdorur gjatë grabitjeve, si dhe dy telefona celularë.
Policia dhe Prokuroria vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjeve dhe përcaktimin e përfshirjes së të dyshuarit në aktivitetet kriminale.