Kur mendon se Shqipëria i ka kaluar tashmë të gjithë kufijtë e absurdit, institucionet tona gjejnë gjithmonë mënyrën për të gërmuar më poshtë, duke e kthyer tryezën e çdo familjeje shqiptare në një terren eksperimentesh kimike, ku uji vjen me shije fekalesh në Vlorë, ndërsa qumështi shërbehet me një bonus kancerogjen aflatoksine deri në 208% mbi normat e lejuara të BE-së!
Pasi i mbyllën sytë para alarmit të ndotjes në bregdet, ku qytetarët u detyruan të pinë ujin e kanalizimeve pa iu dridhur qerpiku askujt, zinxhiri i skandaleve ushqimore u plotësua nga fletëanalizat e fundit të tetorit, që dëshmojnë se bulmeti ynë i përditshëm po helmon ngadalë mëlçitë e konsumatorëve. E ndërkohë që AKU dhe Ministria e Bujqësisë vazhdojnë gjumin e rehatshëm mes zyrave të ngrohta dhe fasadave statistikore, duke u mburrur me “standarde europiane” vetëm në fjalime, në terren 64% e importuesve të miellit dhe drithërave nuk janë kontrolluar asnjëherë gjatë pesë viteve të fundit, duke lënë rrugën e hapur për çdo lloj mielli të dyshimtë që përfundon në sofër.
Krijohet kështu një simfoni e shurdhër papërgjegjshmërie, ku institucionet që duhet të garantojnë jetën shfaqen vetëm në rolin e noterit të fatkeqësisë sonë publike. Shteti tregohet i rreptë, vigjilent dhe i pamëshirshëm vetëm kur vjen puna për të të prerë ujin, për të të dërguar faturën e kripur të energjisë apo për të të zhveshur me gjoba deri në qindarkën e fundit për një vonesë minimale, ndërsa jeta dhe shëndeti i qytetarëve trajtohen thjesht si një dëm kolateral i radhës në buxhetin e indiferencës shtetërore.
Krijohet kështu paradoksi i dhimbshëm, ku qytetari i pafajshëm paguan me shëndet çdo neglizhencë zyrtare, ndërsa karriget e drejtuesve të papërgjegjshëm mbeten më të forta se çimentoja e çdo oligarku. Me këtë ritëm mbijetese, ku çdo mëngjes nis me ankthin e helmit në filxhanin e kafesë dhe dyshimin te buka që blen, shqiptarëve nuk u duhet më listë pazari për në supermarket, por një laborator toksikologjie përpara se të guxojnë të ulen për të ngrënë bukë!