“Dita e mirë duket që në mëngjes”, thotë një shprehje e urtë popullore. Po si mund të duket e mirë dita kur e nis duke u shtyrë, duke u përplasur e duke qëndruar bythë më bythë, frymë më frymë, me çdo njeri të mundshëm në autobusin e Unazës?!
Ndërkohë, Lali Eri, edhe nga qelia, na kujton se “në Tiranë vazhdojmë punën”. Po vallë, a është kjo një nga punët për të cilat e ka fjalën? Të vazhdojë puna për t’i ngjeshur qytetarët si sardele në konservë, derisa të mos mbetet asnjë centimetër hapësirë mes tyre?!
Dhe kjo nuk ndodh vetëm në Unazë, por edhe në shumë linja të tjera të transportit publik në Tiranë, ku autobusët vonohen, nuk janë mjaftueshëm të shpeshtë dhe qytetarët detyrohen të luftojnë çdo mëngjes për të hipur.
Secili del nga shtëpia me hallet e veta. Dikush nxiton për në punë, dikush për në shkollë, dikush për një vizitë mjekësore. Por, përpara se të përballet me problemet e ditës, duhet të kalojë provën e parë të durimit: të hipë në autobus pa u shtypur nga turma!
Dhe sigurisht, kur mëngjesin e nis me shtyrje, nerva, vonesa e përplasje me njerëz që janë po aq të lodhur e të stresuar sa ti, negativiteti bëhet ngjitës. Ende pa mbërritur në punë, të ka ikur dëshira për të punuar!
Por lind pyetja: Pse nuk shtohen autobusët? Pse nuk shpeshtohen linjat? Pse qytetarët duhet të paguajnë për një shërbim ku edhe një centimetër hapësirë personale konsiderohet luks?
Apo ndoshta Bashkia e Tiranës ka menduar edhe për këtë pjesë? Meqë ka filluar i ftohti, përse të shpenzohet për ngrohje në autobusë kur qytetarët mund të ngrohin njëri-tjetrin falas?!
Fundja, në Tiranë transporti publik nuk është thjesht një mënyrë për të shkuar në punë. Është një stërvitje e përditshme për durimin, nervat dhe aftësinë për të mbijetuar në një metër katror me dhjetë veta!
E ndërsa Lali Eri na kujton se puna vazhdon, qytetarët vazhdojnë të shtyhen, të vonohen e të shtrydhen çdo mëngjes. Me sa duket, në Tiranë puna vazhdon, por autobusët jo!