Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi i ka dërguar një letër kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, ku i kërkon të reflektojë pas gjetjeve të Komisionit Europian për punën e Kuvendit. Sipas Bardhit, raporti konfirmon dy shqetësime të ngritura prej kohësh nga opozita. Kontrolli parlamentar mbi qeverinë është dobësuar dhe roli i opozitës në Kuvend është kufizuar.

“Shpresojmë që, pas leximit me vëmendje të Raportit të Komisionit Europian, të reflektoni mbi gjetjet e tij dhe ta konsideroni atë një dokument pune, rekomandimet e të cilit duhet të zbatohen”, thotë Bardhi në letër.

Si shembuj, Bardhi përmend gjashtë kërkesa për ngritjen e komisioneve hetimore që, sipas tij, janë refuzuar nga mazhoranca gjatë kësaj legjislature.

Ai thotë se Peleshi ka refuzuar edhe 11 kërkesa për interpelancë me kryeministrin, ndërsa katër projektligje të opozitës presin të shqyrtohen që prej qershorit.

Në letër, kreu i deputetëve demokratë ngre edhe çështjen e votës së mazhorancës kundër kërkesës së SPAK-ut për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut. Ai akuzon shumicën edhe për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, duke përmendur ato për mandatin e Olta Xhaçkës dhe pagat e magjistratëve.

“Kjo situatë vë seriozisht në pikëpyetje vetë qëllimin e vazhdimit të pranisë së opozitës në Parlament”, vijon Bardhi.

Në fund të letrës, Bardhi i paraqet Peleshit shtatë kërkesa për funksionimin e Kuvendit.

7 kërkesat e opozitës
1. Të garantohet kontrolli parlamentar mbi qeverinë dhe të respektohen mekanizmat kushtetues të kontrollit që i takojnë opozitës.
2. Të garantohet transparenca në procesin ligjvënës, informimi i qytetarëve dhe konsultimi në kohë me grupet e interesit.
3. Të zhvillohen procese gjithëpërfshirëse për zgjedhjet dhe emërimet që Kuvendi bën në institucionet e pavarura.
4. Të zbatohen në kohë vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
5. Të garantohet gjithëpërfshirja në procedurat parlamentare për reformat e integrimit europian.
6. Të rikthehet roli i opozitës në procesin e integrimit europian dhe në strukturat parlamentare që e mbështesin dhe e mbikëqyrin.
7. Të shqyrtohen në kohë nismat ligjore të deputetëve të opozitës.

Kliko këtu për të lexuar të plotë letrën drejtuar Niko Peleshit