Një operacion i autoriteteve hungareze ka vënë në qendër të vëmendjes Áron Orbán, vëllain e ish-kryeministrit Viktor Orbán, i cili raportohet se është ndaluar të hënën në kuadër të një hetimi për trafikim emigrantësh dhe ndërmjetësim të paligjshëm për pajisjen e shtetasve të huaj me dokumente qëndrimi.
Lajmi u bë publik nga kryeministri aktual i Hungarisë, Péter Magyar, i cili iu referua raportimeve të mediave vendase. Sipas tij, hetimet janë ende në zhvillim, ndërsa autoritetet po shqyrtojnë aktivitetin e një rrjeti që dyshohet se ka shfrytëzuar lidhjet me persona me ndikim në institucionet shtetërore për të lehtësuar procedurat e vizave dhe lejeve të qëndrimit.
Në fokus të investigimeve është edhe kompania Multi Shoot, e lidhur me Áron Orbán. Sipas raportimeve të mediave hungareze, aktiviteti i saj përfshinte ndërmjetësimin për punësimin e shtetasve të huaj dhe sigurimin e dokumenteve që u nevojiteshin për të hyrë dhe qëndruar në Hungari.
Një prej pistave që po hetohet lidhet me pajisjen e shtetasve vietnamezë me viza, përmes procedurave që dyshohet se përfshinin regjistrimin e tyre në kurse pranë institucioneve arsimore. Investigimet gazetareske kanë ngritur gjithashtu dyshime për pagesa të kërkuara në këmbim të ndërhyrjeve për përshpejtimin e procedurave të punësimit dhe marrjes së lejeve të qëndrimit.
Në dokumentet e hetimit përmendet edhe një rast ku dyshohet se është dhënë një paradhënie prej 17 mijë eurosh për sigurimin e dokumentacionit të nevojshëm për punësimin e shtetasve të huaj.
Çështja nuk është e re për autoritetet hungareze. Që në prill të vitit 2026, katër persona ishin marrë në pyetje si të dyshuar për ushtrim të ndikimit të paligjshëm dhe vepra të tjera penale. Dy prej tyre ishin vendosur në arrest.
Operacioni i fundit u zhvillua të hënën në Budapest dhe në dy zona të qarkut të Pestit, ku hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit, së bashku me punonjës të Zyrës Kombëtare për Rikuperimin dhe Mbrojtjen e Pasurive, kryen kontrolle në banesa dhe ambiente të ndryshme. Gjatë aksionit u ndaluan disa persona.
Megjithatë, autoritetet policore nuk kishin bërë ende publike identitetet e të gjithë personave të ndaluar, ndaj arrestimi i Áron Orbán mbetet i raportuar nga kryeministri dhe mediat hungareze.
Ngjarja ka shkaktuar reagime edhe në kampin politik. Ish-kryeministri Viktor Orbán e ka cilësuar operacionin si një veprim me motive politike, duke pretenduar se pas hetimeve qëndron një përpjekje për të goditur atë personalisht përmes familjarëve të tij.
“Objektivi jam unë, vëllai im është vetëm një mjet”, është shprehur Orbán, duke kundërshtuar mënyrën se si po zhvillohet çështja.
Hetimet pritet të përcaktojnë nëse kompanitë e përmendura kanë qenë pjesë e një mekanizmi të paligjshëm për sigurimin e vizave dhe lejeve të qëndrimit për shtetasit e huaj, si dhe çfarë roli kanë pasur personat e përfshirë në këtë aktivitet të dyshuar.










