TIRANA- Avokati i kryebashkiakut Erion Veliaj, Plarent Ndreca i është drejtuar Drejtorisë së Burgjeve, ku i ka kërkuar dokumentacionin mjekësor të Erion Veliajt për ndërhyrjen e nevojshme në këmbë të këtij të fundit. Në kërkesën e paraqitur nga Ndreca është theksuar se gjendja e këmbës së tij kërkon një vendimmarrje të menjëhershme lidhur me ndërhyrjen.
Ai është shprehur se gjendja shëndetësore e Veliajt, nuk mund të presë deri ditën e hënë dhe as t’u nënshtrohet afateve të zakonshme administrative. Më tej, ai ka thënë se ekzaminimet janë kërkuar që prej një muaji, por u kryen vetëm më 7 nëntor kur u konstatua se nevojitet ndërhyrja.
“Kërkesa ime është vetëm një: të më vini menjëherë në dispozicion dokumentacionin mjekësor të klientit tim, z. Erion Veliaj, përfshirë raportin e mjekut ortoped të Spitalit Memorial Fier, rezultatet dhe imazhet e ekzaminimeve të kryera, diagnozën dhe rekomandimet për ndërhyrjen kirurgjikale”, cilësohet në kërkesën e Ndrecës.
Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj është zhvendosur nga Burgu i Fierit në sektorin spitalor që gjendet në të njëjtin burg nga sektori A i paraburgimit. Zhvendosja e Veliajt është kryer pas gjetjeve të Komitetit Shqiptar të Helsinkit, si dhe pas ankesave të kryebashkiakut që pretendon se nuk u vlerësua gjendja e tij shëndetësore. Pak kohë më parë, gjatë periudhës kur Veliaj mbahej në paraburgimin e Durrësit, ai kishte pësuar dëmtime në këmbë, dhe në kohën kur u transferua në burgun e Fierit, u shpreh se nuk i ishte marrë parasysh gjendja e tij shëndetësore.


