Një zjarr ka shpërthyer në orët e para të së hënës në objektin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Gjakovë.

Sipas njoftimit të Njësisë Profesionale të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit në Gjakovë, rreth orës 02:20 pas mesnatës, ekipet janë njoftuar për zjarrin dhe menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes.


Zjarri kishte përfshirë një pjesë të depos në bodrumin e objektit të QKMF-së.

Falë intervenimit të shpejtë të zjarrfikësve, zjarri u vu nën kontroll në kohë, duke shmangur përhapjen e tij në pjesët e tjera të objektit dhe dëmet e mëtejshme.

“Falë reagimit të shpejtë dhe intervenimit profesional, zjarri është lokalizuar me kohë, duke parandaluar përhapjen e tij në pjesët e tjera të objektit dhe dëmet e mundshme më të mëdha”, u bë e ditur në njoftim.

Njësia e Zjarrfikësve dhe Shpëtimit në Gjakovë ka bërë të ditur se intervenimi është realizuar me sukses.

Deri më tani, në njoftimin e publikuar nuk janë dhënë detaje për shkakun e zjarrit apo për dëmet e shkaktuara. /Telegrafi/