Demokracia vazhdon të gëzojë mbështetjen e shumicës dërrmuese të gjermanëve, por besimi te mënyra se si ajo funksionon në praktikë është në rënie. Sipas një sondazhi të institutit infratest dimap për televizionin publik ARD, vetëm 36% e qytetarëve janë të kënaqur me funksionimin e demokracisë, ndërsa 63% shprehen të pakënaqur.

Megjithatë, 87% e të anketuarve e konsiderojnë demokracinë një formë të mirë qeverisjeje. Mbështetja është më e lartë te personat mbi 70 vjeç, me 92%, ndërsa te grupmosha 16-29 vjeç zbret në 79%.

I pyetur për kërcënimin më të madh ndaj demokracisë në Gjermani, 34% e të anketuarve identifikojnë ekstremizmin e djathtë. Pas tij renditen keqfunksionimi i institucioneve dhe politikës me 16%, ekstremizmi i majtë me 7%, emigracioni me 6% dhe kërcënimet e jashtme, përfshirë Rusinë dhe luftën në Ukrainë, me 5%.

Ndër elementet më të rëndësishme të demokracisë, gjermanët vlerësojnë lirinë e shprehjes (98%), funksionimin e drejtësisë (97%), zgjedhjet e ndershme (97%) dhe lirinë e medias (97%).

Sondazhi tregon gjithashtu se 75% e qytetarëve besojnë se përgjegjësia për funksionimin e demokracisë ndahet mes politikanëve dhe qytetarëve. Ndërkohë, 79% mendojnë se zgjedhjet në Gjermani zhvillohen në mënyrë të lirë dhe të ndershme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb