Një 29-vjeçare në provincën e Trevizos, në Itali, ka përfunduar në spital pas helmimit nga monoksidi i karbonit, ndërsa zbulimi i rrjedhjes së gazit u bë i mundur edhe falë sjelljes së pazakontë të maces së saj, e cila mjaullinte pa ndërprerje. Sipas autoriteteve shëndetësore lokale, e reja kishte nisur të ndiente marramendje dhe humbje ekuilibri, por fillimisht nuk e kishte kuptuar se simptomat mund të lidheshin me praninë e gazit helmues në banesë. Ndërkohë, macja vazhdonte të mjaullinte në mënyrë të pazakontë, duke e bërë atë të dyshonte se diçka nuk shkonte.
29-vjeçarja u largua nga shtëpia për të shkuar në punë, por gjatë udhëtimit gjendja e saj nuk u përmirësua. Ajo ndaloi automjetin dhe telefonoi urgjencën. Mjekët dyshuan për intoksikim nga monoksidi i karbonit dhe e transportuan në spitalin Ca’ Foncello në Treviso. Analizat konfirmuan helmimin, ndërsa për shkak të gjendjes shëndetësore pacientja pati nevojë për trajtim në dhomën hiperbarike.
Pas konstatimit të gazit në ambientet e pallatit, edhe bashkëshorti i saj u dërgua në urgjencë për kontroll. Ai, së bashku me banorët e apartamentit në katin e sipërm, u largua më pas nga spitali. Kontrollet e zjarrfikësve zbuluan se burimi i rrjedhjes ishte një kaldajë me defekt në banesën e çiftit, e cila çlironte sasi të larta të monoksidit të karbonit. Ngjarja vjen pas disa rasteve të tjera të helmimit në provincën e Trevizos. Vetëm një javë më parë, dhjetë persona ishin dërguar në urgjencë pas ekspozimit ndaj të njëjtit gaz, në zonat e Follinës dhe Lorias.



