Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka kundërshtuar projektligjin e ri për trashëgiminë kulturore, duke akuzuar qeverinë Rama se po e kthen pasurinë kulturore shqiptare në një instrument për interesa ekonomike dhe klienteliste.
Sipas Zhupës, projektligji rrezikon veçanërisht pronarët e banesave monument kulture në Berat dhe Gjirokastër, pasi parashikon mekanizma që mund t’i ekspozojnë ata ndaj detyrimeve të larta financiare për restaurimin e pronave.
Ajo kundërshton gjithashtu nenin 26, që sipas saj hap rrugën për ndërhyrje arkitektonike dhe përshtatje të monumenteve për projekte zhvillimi ekonomik, duke ngritur shqetësimin se ato mund të kthehen në hotele, restorante apo struktura turistike.
Deklarata e plotë:
Qeveria ka hedhur në konsultim publik një projektligj të ri për trashëgiminë kulturore, ku, në vend që të forcojë mbrojtjen e trashëgimisë sonë kombëtare, Edi Rama po propozon një ligj që krijon mekanizma të rinj ndërhyrjeje mbi pronën private, hapësira për biznes dhe ndërtim mbi monumentet dhe kufizime për rikthimin e objekteve kulturore të trafikuara.
Rama nuk mjaftohet me betonizimin e bregdetit dhe zonave të mbrojtura, tani rrezikon të kthejë edhe trashëgiminë historike në një mundësi biznesi, duke vënë në rrezik pronën e qytetarëve dhe vetë pasurinë kombëtare.
Ndërkohë që nga viti 2022, me koncesionin e Butrintit, përpiqem të ndryshojmë ligjin e trashëgimisë për të hequr mundësinë e koncesionit, kërkesë së cilës iu bashkua edhe protesta 160-ditore. Këta bëjnë të kundërtën, lënë në sirtar ndryshimet ligjore për heqjen e koncesioneve dhe shtojnë ndryshime të tjera për ta kthyer trashëgiminë kulturore në instrument të interesave ekonomike dhe klienteliste të qeverisë.
Së pari, pronarët e banesave monument kulture dhe të pasurive të mbrojtura në të gjithë Shqipërinë, Durrës, Elbasan dhe veçanërisht në qytete si Berati dhe Gjirokastra, ku një pjesë e madhe e trashëgimisë historike është edhe pronë private do të përballen me një mekanizëm që i kthen detyrimet e restaurimit në rrezik për pronën e tyre.
Me nenin 30 të projektligjit, ministri merr kompetencën të përcaktojë me urdhër vlerën e shpenzimeve të ndërhyrjeve të detyruara në pronën private. Ky urdhër merr fuqinë e titullit ekzekutiv. Pra, një vendimmarrje administrative e ministrit mund të kthehet në detyrim financiar të ekzekutueshëm ndaj qytetarit.
A e kupton qeveria se çfarë do të thotë kjo për një familje që ka trashëguar një banesë në Gjirokastër apo Berat, por nuk ka mundësi financiare të përballojë kostot e restaurimit? A do të jetë mbrojtja e trashëgimisë një barrë që përfundon duke rrezikuar vetë pronën e qytetarëve?
Së dyti, me nenin 26, qeveria hap rrugën për transformimin e monumenteve në funksion të projekteve të zhvillimit ekonomik. Projektligji lejon përshtatje funksionale, ndërhyrje arkitektonike dhe shtesa të reja në pasuritë kulturore, duke parashikuar edhe integrimin e tyre në projekte zhvillimi.
Kush do ta garantojë që nesër një monument kulture të mos shndërrohet në një biznes hotelerie, restoranti apo strukture turistike, ku interesi ekonomik të mbizotërojë mbi vlerën historike? Kush e përcakton kufirin mes restaurimit dhe tjetërsimit të monumentit?
Shqipëria nuk ka nevojë për një tjetër ligj që e trajton trashëgiminë kulturore si pronë për t’u shfrytëzuar nga interesat e biznesit.
Së treti, me nenin 43, vendosen kufizime kohore që mund të pengojnë rikthimin e pasurive kulturore të trafikuara ilegalisht. Projektligji parashikon afate 3-vjeçare dhe 30-vjeçare për kërkesat e kthimit të objekteve të larguara në mënyrë të paligjshme, si dhe një afat 75-vjeçar për kategori të caktuara koleksionesh publike dhe fetare.
Pse duhet t’i vendosim pengesa shtetit shqiptar për të rikthyer thesaret e grabitura të kulturës sonë? Pse duhet të krijojmë kufizime që mund të vështirësojnë rikuperimin e objekteve që janë trafikuar dhe identifikohen shumë vite më vonë?
Për katër vjet kam kundërshtuar ligjin e Butrintit dhe kam denoncuar përdorimin e trashëgimisë kulturore si instrument koncesionesh dhe interesash private. Tani kemi përpara një tjetër projektligj ku Edi Rama përdor trashëgiminë kulturore si skemë biznesi ky kryesisht banorët e Beratit dhe Gjirokastrës në rrezik të humbin pronat.
Berati dhe Gjirokastra nuk janë pronë e Edi Ramës. Monumentet shqiptare nuk janë pasuri e qeverisë për t’i futur në projekte biznesi. Dhe thesaret e grabitura të Shqipërisë nuk janë pronë e atyre që i kanë përvetësuar.
Vetëm protesta qytetare dhe revolta studentore mund ta ndalin këtë babëzi të pashembullt të qeverisë Rama, që nuk kursen as trashëgiminë kulturore. Trashëgimia kulturore është kujtesa dhe identiteti i një kombi. Nuk është as pronë për t’u marrë nga qytetarët, as monument për t’u tjetërsuar dhe as biznes për klientët e pushtetit.













