Trazirat e fundit në Francë janë shfrytëzuar nga rrjete të huaja për të përhapur lajme dhe mesazhe që synojnë të ndikojnë te qytetarët dhe të dëmtojnë imazhin e qeverisë franceze.
Kështu raportohet në 2 raporte të brendshme, njëri i Bashkimit Evropian dhe tjetri i Ministrisë së Jashtme franceze, sipas së cilave, pas këtyre fushatave qëndrojnë llogari në rrjetet sociale të lidhura me Rusinë, Izraelin dhe lëvizjen amerikane MAGA.
Raporti i BE evidenton aktivitetin e një rrjeti rus, të njohur si “Operation Overload”, i cili ka shpërndarë video duke u paraqitur si media perëndimore.
Në këto materiale publikoheshin pretendime të pavërteta për sulme nga emigrantët dhe rrezikun e atentateve terroriste.
Qëllimi ishte të krijohej panik dhe të paraqitej qeveria franceze si e paaftë për të mbajtur nën kontroll situatën, referuar hetimit.
Ndërkohë, raporti francez tregon se këto mesazhe kanë arritur miliona përdorues. Dhjetë postimet më të shikuara nga llogari të lidhura me lëvizjen MAGA kanë marrë mbi 49 milionë shikime, ndërsa ato nga llogari izraelite më shumë se 35 milionë. Postimet nga llogari proruse kanë marrë 2.8 milionë shikime.
Megjithatë, dokumentet nuk japin prova se këto aktorë të huaj kanë organizuar apo nxitur protestat. Ato kanë shfrytëzuar trazirat për të përhapur mesazhet e tyre politike.
Ekspertët paralajmërojnë se përmes rrjeteve sociale, këto fushata synojnë të shtojnë frikën, të thellojnë përçarjet në shoqëri dhe të ndikojnë në qëndrimet politike të qytetarëve evropianë.










