Bota Tech

Paralajmërimi i frikshëm i fituesit të Nobelit: “Çernobili i inteligjencës artificiale mund të ndodhë brenda…”

Një katastrofë e madhe kibernetike, e shkaktuar nga keqpërdorimi i inteligjencës artificiale, mund të ndodhë deri në fund të vitit 2026 ose gjatë vitit 2027. Paralajmërimi vjen nga Geoffrey Hinton, fitues i Nobelit në Fizikë në vitin 2024, i cili në një intervistë për “The Guardian” e cilëson skenarin si një “Çernobil të inteligjencës artificiale”.

Sipas tij, një sulm i fuqishëm mund të paralizojë rrjetin elektrik ose sistemin financiar, duke lënë miliona qytetarë pa energji apo akses në llogaritë bankare. Hinton beson se një ngjarje e tillë do të detyronte qeveritë të merrnin më seriozisht rreziqet e kësaj teknologjie. Shkencëtari kritikon drejtuesit e gjigantëve teknologjikë, duke i akuzuar se vendosin fitimet përpara sigurisë, ndërsa kërkon kontrolle të detyrueshme dhe të pavarura për sistemet më të avancuara të inteligjencës artificiale.

Ndërkohë, BBC po përgatitet për skenarë të ndërprerjes masive të energjisë përmes planit emergjent “Black Sky”, që parashikon vazhdimin e transmetimeve radiofonike për 72 orë edhe pa energji elektrike. Plani përfshin studio emergjence, gjeneratorë dhe rezerva ushqimesh e karburanti. Paralelisht, Britania ka nisur fushatën “Be Ready”, duke u bërë thirrje familjeve të përgatiten për të përballuar të paktën tri ditë pa shërbimet thelbësore.