E hënë, 9 Nëntor 2026 Mes'dritë Live deri në 12:00 Në vijim ora 12:00: Lajme Ora 12:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Sport

“Jeta vjen para futbollit”, Totti rrëfen momentet e vështira me të birin! Përse u detyrua të linte futbollin

Francesco Totti ka treguar se pas vendimit të djalit të tij për t’i dhënë fund futbollit fshihej një dramë personale, shumë më e rëndë nga sa ishte raportuar në media.

Cristian Totti, i cili kishte ndjekur rrugën e të atit në futboll, u detyrua të ndërpriste karrierën në vitin 2025, në moshën 19-vjeçare. Për një kohë të gjatë, largimi i tij nga sporti u shoqërua me spekulime për mungesë motivimi, presionin e mbiemrit Totti dhe vështirësitë për të përballuar pritshmëritë.

Por Francesco ka zbuluar se arsyeja ishte krejt tjetër. Gjatë një kontrolli mjekësor, pas disa shqetësimeve shëndetësore, te Cristian u zbulua një problem në tru, konkretisht një pengesë e pjesshme në akuaduktin e Silviusit, kanali përmes të cilit qarkullon lëngu cerebrospinal.

“Për probleme shëndetësore, atij iu hoq e drejta për të luajtur futboll”, ka treguar Totti, duke rrëfyer edhe momentin kur mjekët e telefonuan për t’i komunikuar se kishin zbuluar një anomali në kokën e djalit të tij.

Reklamë

Ish-kapiteni i Romës ka përshkruar ankthin dhe frikën që përjetoi si baba, sidomos kur mjekët i shpjeguan se nevojiteshin ekzaminime të mëtejshme dhe se një ndërhyrje kirurgjikale ishte një nga mundësitë që po shqyrtohej.

Totti ka treguar se vendimi përfundimtar ishte të mos rrezikohej shëndeti i Cristianit për hir të futbollit. “I thashë: Nuk ka rëndësi futbolli, jeta vjen para gjithçkaje”, ka rrëfyer ai.

Më tej, legjenda italiane ka reaguar ashpër ndaj lajmeve që, sipas tij, kishin përhapur versione të pavërteta për të birin.

“Thoshin se e kishte bërë për shkak të presionit mediatik, mbiemrit që mbante apo mungesës së motivimit. Të gjitha gënjeshtra të padurueshme, të hedhura mbi një djalë që sapo kishte kaluar moshën madhore. Çfarë turpi. Çfarë varfërie!”, është mesazhi i fortë i Tottit.

Sa i përket gjendjes së Cristianit, Francesco ka bërë të ditur se ai i nënshtrohet kontrolleve të rregullta mjekësore dhe se situata, sipas rrëfimit të tij, ka mbetur e qëndrueshme.

Sot, pavarësisht ëndrrës së ndërprerë për t’u bërë futbollist profesionist, Cristian vazhdon të jetë i lidhur me këtë sport, duke punuar pranë Totti Soccer School.

Për Francesco Tottin, ky kapitull mbetet një nga momentet më të dhimbshme të jetës së tij, por edhe një kujtesë se përtej futbollit, famës dhe trofeve, shëndeti i familjes vjen gjithmonë i pari.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.