'Brukseli konfirmon shkeljen e të drejtave të opozitës'/ Bardhi letër Peleshit dhe Delegacionit të BE në Tiranë: Ja çfarë kërkon PD...
11:01, 09/11/2026
Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së i drejtohet kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi: Zbatoni rekomandimet e Brukselit, garantoni kontrollin parlamentar, pavarësinë e institucioneve dhe rikthimin e opozitës në procesin e integrimit europian.
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i ka drejtuar një letër zyrtare Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, lidhur me gjetjet e Raportit të Komisionit Europian për Shqipërinë, të datës 4 nëntor 2026, duke kërkuar reflektim institucional dhe zbatimin e rekomandimeve të Brukselit për funksionimin demokratik të Parlamentit.
Në letrën e tij, Bardhi thekson se raporti i Komisionit Europian konfirmon shqetësimet e ngritura prej kohësh nga opozita për dobësimin e kontrollit parlamentar mbi qeverinë, pengimin e të drejtave kushtetuese të deputetëve të opozitës, politizimin e emërimeve në institucionet e pavarura dhe moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Sipas Bardhit, procesi i integrimit europian nuk mund të jetë një proces real demokratizimi nëse mazhoranca e trajton Kuvendin si një institucion njëpartiak, ku vendimmarrja përcaktohet vetëm nga numrat dhe jo nga respektimi i Kushtetutës, ligjit dhe rregullave parlamentare.
Raporti i KE-së evidenton dobësimin e kontrollit parlamentar. Duke iu referuar Raportit SWD(2026) 690, Bardhi nënvizon se Komisioni Europian evidenton një sërë problematikash në funksionimin e institucioneve demokratike në Shqipëri, përfshirë:
Kontrollin e dobët të Parlamentit mbi ekzekutivin dhe mungesën e debatit kuptimplotë parlamentar.
Refuzimin sistematik të kërkesave të opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore.
Vonesat dhe kundërshtimet për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Politizimin e emërimeve në institucionet e pavarura, përfshirë zgjedhjen e Avokatit të Popullit pa konsensus politik.
Mungesën e konsultimeve publike domethënëse dhe përshpejtimin e procedurave të miratimit të projektligjeve.
Përjashtimin e opozitës nga drejtimi i Komisionit për Integrimin Europian.
Mungesën e konsensusit për reformën territoriale dhe nevojën urgjente për një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse përpara zgjedhjeve vendore të vitit 2027.
Bardhi e cilëson raportin si një dokument pune dhe një plan konkret veprimi, duke theksuar se mesazhi i Komisionit Europian është i qartë: pa llogaridhënie reale dhe respektim të balancës ndërmjet pushteteve, procesi i integrimit europian mbetet i brishtë.
Bardhi evidenton se janë refuzuar 6 komisione hetimore dhe 11 interpelanca me Kryeministrin. Në letrën drejtuar Peleshit, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së paraqet edhe një sërë rastesh konkrete që, sipas tij, dëshmojnë kufizimin e të drejtave parlamentare të opozitës. Ai bën të ditur se gjatë kësaj legjislature mazhoranca ka refuzuar gjashtë kërkesa të opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore, ndërsa Kryetari i Kuvendit ka refuzuar 11 kërkesa për zhvillimin e interpelancave me Kryeministrin.
Bardhi ngre gjithashtu shqetësimin për mosshqyrtimin e kërkesës së SPAK-ut për heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku dhe votimin kundër të shumicës parlamentare, duke e lidhur këtë rast me shqetësimet e Komisionit Europian për kontrollin dhe balancën ndërmjet pushteteve dhe barazinë para ligjit.
Një tjetër çështje e ngritur në letër është moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Bardhi përmend vendimet lidhur me mandatin e deputetes Olta Xhaçka, pagat e magjistratëve dhe vendimin nr. 62/2026, që lidhet me kërkesën e opozitës për ngritjen e një komisioni hetimor mbi barazinë e palëve në zgjedhjet e 11 majit 2025.
Opozita kërkon shqyrtimin e katër projektligjeve të depozituara prej pesë muajsh. Në letrën e tij, Bardhi ndalet edhe te nismat ligjore të opozitës, të cilat, sipas tij, mbeten të pashqyrtuara nga mazhoranca. Ai përmend katër projektligjet e depozituara që në qershor 2026, që lidhen me investimet strategjike, zonat e mbrojtura, trashëgiminë kulturore dhe Paketën e Maleve. Sipas tij, pavarësisht se këto nisma janë paraqitur në përgjigje të kërkesave të qytetarëve dhe problematikave të ngritura në protestat paqësore, mazhoranca nuk ka lejuar ende shqyrtimin e tyre në Kuvend.
Bardhi kritikon gjithashtu mënyrën e zhvillimit të reformës territoriale, duke pretenduar se mazhoranca braktisi procesin e përbashkët dhe miratoi një reformë të njëanshme, si dhe qëndrimin e saj në reformën zgjedhore, ku sipas opozitës nuk po adresohen rekomandimet themelore të OSBE/ODIHR-it për zgjedhje të lira, të drejta dhe të ndershme.
Shtatë kërkesat e opozitës për funksionimin demokratik të Kuvendit:
Në përfundim të letrës, Gazment Bardhi i kërkon Kryetarit të Kuvendit të ndërmarrë hapa konkretë për garantimin e funksionimit demokratik të Parlamentit, duke renditur shtatë prioritete:
Garantimin e kontrollit parlamentar dhe respektimin e mekanizmave kushtetues që i njihen opozitës.
Sigurimin e një procesi transparent legjislativ dhe konsultimit efektiv me grupet e interesit.
Garantimin e një procesi gjithëpërfshirës për emërimet në institucionet e pavarura.
Zbatimin në kohë të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Garantimin e gjithëpërfshirjes në reformat që lidhen me integrimin europian.
Rikthimin e rolit të opozitës në procesin e integrimit europian dhe në strukturat parlamentare përkatëse.
Shqyrtimin në kohë të nismave ligjore të propozuara nga deputetët e opozitës.
Në mesazhin përmbyllës, Bardhi thekson se opozita mbetet e angazhuar për të vepruar brenda kuadrit institucional dhe demokratik, por nuk do të pranojë asgjësimin e parlamentarizmit dhe mohimin e të drejtave të saj kushtetuese. “Një vend që synon anëtarësimin në Bashkimin Europian, por që shkel rregullat themelore të bashkëjetesës demokratike brenda Parlamentit, nuk mund të pretendojë se ka ndërtuar një demokraci funksionale”, thekson Bardhi në letrën drejtuar Kryetarit të Kuvendit.
Letra i është përcjellë për dijeni edhe Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë dhe ambasadave të vendeve anëtare të BE-së në Shqipëri.
© SYRI.net
Lexo edhe: