Bota Botë e Çuditshme

E bleu për 20 euro dhe e harroi në dollap, llamba shitet për…

Një blerje prej vetëm 20 eurosh është shndërruar në një surprizë të jashtëzakonshme për një familje franceze, pasi një llambë e harruar për muaj të tërë në dollap u shit në ankand për plot 251 mijë euro. Historia nisi rreth një vit më parë, në një treg sendesh të përdorura pranë qytetit Valenciennes, në veri të Francës. Një grua bleu një llambë të zezë prej qeramike, e tërhequr nga forma e saj e veçantë, me tre pjesë të rrumbullakosura të vendosura njëra mbi tjetrën.

Pasi e mori në shtëpi, ajo nuk gjeti një vend të përshtatshëm për ta vendosur dhe e la në dollap. Muaj më vonë, vajza e saj, teksa po sistemontë sendet, vuri re një firmë të gdhendur në pjesën e poshtme të llambës, me mbiemrin Jouve. Pas kërkimeve në internet, ajo zbuloi se objekti mund të ishte krijim i Georges Jouve, një prej artistëve më të njohur francezë të qeramikës së pasluftës, i cili jetoi nga viti 1910 deri më 1964.

Familja kontaktoi shtëpinë e ankandeve NEO Enchères në Paris, ku ekspertët konfirmuan se llamba ishte autentike dhe në gjendje shumë të mirë. Vlera fillestare u përllogarit mes 80 mijë dhe 120 mijë eurove, por ankandi i zhvilluar më 29 tetor 2026 tejkaloi çdo pritshmëri. Rreth dhjetë blerës konkurruan për objektin e rrallë, derisa gara u përqendrua mes dy koleksionistëve europianë.

Në fund, llamba u shit për 251 mijë euro, përfshirë tarifat e ankandit, duke vendosur një rekord botëror për një llambë të Georges Jouve. Çmimi përfundimtar ishte 12.550 herë më i lartë se shuma që gruaja kishte paguar në tregun e sendeve të përdorura. Sipas ekspertëve, vlera e jashtëzakonshme lidhet me rrallësinë e modelit, firmën e artistit dhe ruajtjen pothuajse të përsosur të objektit. Identiteti i gruas është mbajtur anonim, ndërsa historia e saj ka tërhequr vëmendjen e mediave franceze, duke treguar se ndonjëherë një send i zakonshëm mund të fshehë një pasuri të vërtetë.