Aksidentohet autobusi në Qafën e Koshovicës, shkak parakalimi i gabuar i “Volkswagen”

09/11/2026 10:51

Një aksident rrugor është regjistruar në aksin Fier– Levan, në Qafën e Koshovicës, ku është përfshirë një autobus i linjës Fier–Ferras, me më shumë se 15 udhëtarë.

Si pasojë e aksidentit, ka mbetur e plagosur një grua, e cila udhëtonte si pasagjere në autobus. Sipas të dhënave paraprake, shkak i përplasjes dyshohet të jetë bërë një parakalim i gabuar nga drejtuesi i një automjeti tip Volkswagen, raporton korrespondenti i Top Channel Neritan Trifoni.

Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e ambulancës, të cilat kanë transportuar të plagosurën drejt spitalit për të marrë ndihmën mjekësore.

Ndërkohë, policia ndodhet në vendin e aksidentit dhe po punon për dokumentimin e plotë të ngjarjes, si dhe për normalizimin e qarkullimit rrugor.

Top Channel