SPAK ka paraqitur pretencën për dosjen e vrasjeve të Vajdin Lamajt dhe Klodian Saliut, të ndodhura në vitin 2005.
Prokuroria e Posaçme ka kërkuar nga 25 vite burg për Emiljano Shullazin, Viktor Bajraktarin (Imeraj), Indrit Taullain, Lulzim Berishën, Plaurent Dervishajn dhe Indrit Rusin.
Ndërkohë, për Luftar Reçin, i cili ka statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, SPAK ka kërkuar dënimin me 8 vite burg.
Dy ngjarjet kriminale të shkurtit 2005
Ngjarja e parë ndodhi më 26 shkurt 2005, rreth orës 22:00, në segmentin rrugor Durrës-Maminas, në afërsi të fshatit Koxhaj.
Klodian Saliu, i cili udhëtonte me automjetin e tij tip Mercedes-Benz, ngjyrë gri, u qëllua me armë zjarri. Si pasojë e atentatit, ai humbi jetën, ndërsa mbeti i plagosur edhe O. Truma, i cili ndodhej në automjet me viktimën.
Një ditë më pas, më 27 shkurt 2005, rreth orës 23:50, një shpërthim me lëndë plasëse në pallatin ku banonte Vajdin Lame, në rrugën “Dervish Hima” në Tiranë, shkaktoi vdekjen e tij dhe të A. Arsisë.
Procedimet për të dyja ngjarjet ishin pezulluar për shkak të mosidentifikimit të autorëve. Megjithatë, Prokuroria e Posaçme rifilloi hetimet, mblodhi prova dhe vendosi bashkimin e dy çështjeve në një procedim të vetëm.
Pas hetimeve, SPAK iu drejtua Gjykatës së Posaçme me kërkesën për caktimin e masave të sigurimit ndaj gjashtë personave të dyshuar.
Të dyshuarit përballen me akuza të rënda, mes tyre vrasja me paramendim në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, mbajtja pa leje e armëve luftarake me pasoja të rënda, si dhe vrasja në rrethana të tjera cilësuese, kundër dy ose më shumë personave.
Prokuroria ka kërkuar dënimet e mëposhtme për secilin prej të pandehurve:
-Viktor Bajraktari (Imeraj): 25 vjet burgim për vrasjen e Vajdin Lamajt dhe Artan Arsit në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, 3 vjet burgim për grup të strukturuar kriminal, 2 vjet burgim për falsifikim dokumentesh dhe 5 vjet burgim për futjen ose mbajtjen e sendeve të ndaluara në IEVP. Në bashkim të dënimeve, prokuroria kërkoi dënimin e tij përfundimisht me 25 vjet burgim, vendimi i të cilit me kërkesë duhet të kryhet në një burg të sigurisë së lartë.
– Emiljano Shullazi: 25 vjet burgim për vrasje në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave (Vajdin Lamaj dhe Artan Arsi) në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe 5 vjet burgim për grup të strukturuar kriminal. Përfundimisht është kërkuar dënimi me 25 vjet burgim, me vuajtje të dënimit në një burg të sigurisë së lartë.
– Indrit Taulla: 25 vjet burgim për vrasjen e Vajdin Lamajt dhe Artan Arsit, 25 vjet burgim për vrasjen me paramendim të Kledian Saliut, 18 vjet burgim për vrasjen e mbetur në tentativë ndaj Osman Trumës, 5 vjet burgim për mbajtje pa leje të armëve dhe municionit, si dhe 3 vjet burgim për grup të strukturuar kriminal. Përfundimisht është kërkuar dënimi i tij me 25 vjet burgim në një burg të sigurisë së lartë.
– Lulzim Berisha: 25 vjet burgim për vrasjen me paramendim të Kledian Saliut, 18 vjet burgim për vrasjen e mbetur në tentativë ndaj Osman Trumës, 11 vjet burgim për mbajtje pa leje të armëve dhe 5 vjet burgim për grup të strukturuar kriminal. Përfundimisht, prokuroria kërkon dënimin e tij me 25 vjet burgim në një burg të sigurisë së lartë.
– Plaurent Dervishaj: 25 vjet burgim për vrasjen me paramendim të Kledian Saliut, 16 vjet burgim për vrasjen e mbetur në tentativë ndaj Osman Trumës, 11 vjet burgim për mbajtje pa leje të armëve dhe 3 vjet burgim për grup të strukturuar kriminal. Në bashkim të dënimeve, kërkohet dënimi përfundimtar me 25 vjet burgim në një burg të sigurisë së lartë.
– Indrit Rusi: 25 vjet burgim për vrasjen me paramendim të Kledian Saliut, 18 vjet burgim për vrasjen e mbetur në tentativë ndaj Osman Trumës, 11 vjet burgim për mbajtje pa leje të armëve dhe 3 vjet burgim për grup të strukturuar kriminal. Përfundimisht është kërkuar dënimi me 25 vjet burgim në burg të sigurisë së lartë.
– Luftar Reçi: 25 vjet burgim për vrasjen e Vajdin Lamajt dhe Artan Arsit, 25 vjet burgim për vrasjen e Kledian Saliut, 18 vjet burgim për vrasjen e mbetur në tentativë ndaj Osman Trumës, 10 vjet burgim për mbajtje pa leje të armëve dhe 3 vjet burgim për grup të strukturuar kriminal, çka e çon dënimin e bashkuar në 25 vjet burgim. Mirëpo, për shkak të statusit të tij si bashkëpunëtor i drejtësisë, prokuroria ka kërkuar aplikimin e uljes së dënimit sipas nenit 52/a të Kodit Penal, duke kërkuar përfundimisht dënimin e tij me 8 vjet burgim, me vuajtje në një nga institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale sipas marrëveshjes me Drejtorinë e Mbrojtjes së Dëshmitarëve.
E kaluara kriminale e tre të akuzuarve
Emiljano Shullazi është një emër i njohur për organet ligjzbatuese në Shqipëri. Ai është hetuar ndër vite për një sërë veprash të rënda penale, përfshirë vrasje, shpërthime me eksploziv, trafik narkotikësh, gjobëvënie dhe shtrëngim me dhunë.
Edhe Viktor Ymeri ka një të kaluar të lidhur me ngjarje të rënda kriminale, kryesisht në qytetin e Vlorës. Ai njihet për lidhjet e tij me Gazmend Brakën, i njohur si Gaxhai, i cili vuan dënimin me burgim të përjetshëm.
Ndërkohë, Lulzim Berisha, ish-kreu i Bandës së Durrësit, është dënuar më herët për një sërë vrasjesh dhe atentatesh të kryera në vitet 1998-1999.
Në vitin 2012, ai u dënua me burgim të përjetshëm, por në vitin 2014 Gjykata e Lartë e ndryshoi vendimin, duke e dënuar me 25 vite burg. Në dhjetor të vitit 2016, Berisha u lirua me kusht, ndërsa në maj të vitit 2022 Gjykata Kushtetuese vendosi rikthimin e tij në burg.














