Drejtori ekzekutiv i gjigantit amerikan të teknologjisë Nvidia, Jensen Huang, ka konfirmuar lidhjen jashtëmartesore me biznesmenen kineze Alice Huang, e cila është nën hetim nga autoritetet amerikane të inteligjencës për dyshime mbi spiunazhin dhe kontrabandën e mikroçipave drejt Kinës.

Çështja, e cila fillimisht u shfaq si një histori personale, ka marrë përmasa më të gjera, duke u kthyer në një çështje me ndjeshmëri të lartë për sigurinë kombëtare të SHBA-së dhe konkurrencën teknologjike mes Uashingtonit dhe Pekinit. Sipas raportimeve të The New York Times, Alice Huang, e njohur edhe si Huang Le, dyshohet se ka mbledhur informacione tregtare në interes të Kinës dhe mund të ketë pasur rol në dërgimin e çipave të avancuar Nvidia drejt tregut kinez, në kundërshtim me kufizimet amerikane të eksportit.

Pas publikimit të lajmit për lidhjen, Financial Times raportoi edhe për një mesazh të Jensen Huang, përmes të cilit ai kërkonte falje ndaj bashkëshortes dhe familjes së tij. Në qendër të hetimeve është edhe kompania Megaspeed, me seli në Singapor, me të cilën lidhet biznesmenia kineze. Kompania blen pajisje kompjuterike të pajisura me çipa Nvidia dhe ua jep me qira kapacitetin e qendrave të të dhënave kompanive të tjera, mes tyre edhe gjigantit kinez të teknologjisë Alibaba.

Sipas The New York Times, hetimi ndaj Megaspeed nisi në fund të vitit 2024, pasi një zyrtar i Departamentit amerikan të Tregtisë, gjatë një vizite në një qendër të dhënash të operuar nga kompania në Malajzi, dyshohet se konstatoi pajisje Nvidia të paketuara. Ky zbulim ngriti dyshime nëse pajisjet do të instaloheshin në atë objekt apo do të transportoheshin drejt një destinacioni tjetër.

Alice Huang u mor në pyetje nga autoritetet e Singaporit në vitin 2025, por më pas u la e lirë. Ndërkohë, hetimi amerikan kaloi nga Departamenti i Tregtisë në Departamentin e Drejtësisë. Shqetësimi i agjencive amerikane të inteligjencës lidhej edhe me mundësinë që biznesmenia të kishte siguruar informacione konfidenciale për planet e biznesit të Nvidia-s përmes kontakteve me drejtuesin e saj. Gjithashtu, autoritetet po shqyrtonin nëse këto kontakte mund t’i kishin dhënë Pekinit informacion mbi qëndrimin e administratës Trump për eksportin e çipave të avancuar drejt Kinës.

Çështja konsiderohet veçanërisht delikate, pasi Jensen Huang kishte lobuar pranë administratës së Donald Trump për lehtësimin e kufizimeve mbi shitjen e çipave Nvidia në Kinë. Sipas raportimeve, presidenti amerikan ishte informuar rreth gjetjeve të inteligjencës një vit më parë. Megjithatë, vlerësohet se drejtori ekzekutiv i Nvidia-s nuk ishte në dijeni të dyshimeve ndaj biznesmenes dhe nuk kishte marrë ndonjë njoftim paralajmërues nga autoritetet amerikane.

Pas publikimit të raportimeve, Nvidia njoftoi nisjen e një hetimi të pavarur për të shqyrtuar rrethanat e çështjes. Procesi do të mbikëqyret nga një komitet i përbërë nga anëtarë të pavarur të bordit, me ndihmën e këshilltarëve ligjorë të jashtëm. Jensen Huang ka mbështetur hetimin dhe është zotuar të bashkëpunojë plotësisht.

Nga ana tjetër, bordi i Nvidia-s deklaroi se aktualisht nuk ka arsye të besojë se janë komprometuar siguria kombëtare amerikane apo sekretet tregtare të kompanisë, por theksoi se do të shqyrtohen të gjitha informacionet e disponueshme. Skandali vjen në një periudhë kur Nvidia ndodhet në qendër të rivalitetit teknologjik mes SHBA-së dhe Kinës. Kompania pësoi gjithashtu një rënie të ndjeshme në bursë javën e kaluar, duke humbur rreth 450 miliardë dollarë në vlerë tregu brenda një dite tregtimi, përpara se aksionet të rikuperonin një pjesë të humbjeve të premten.