SPAK ka dhënë pretencën për grupin kriminal të Emiljano Shullazit, një ndër emrat më të lakuar të botës së krimit, dhe kërkon në total 158 vjet burg për 7 të pandehur. Dosja përfshin tri vrasje të vitit 2005, atë të Vajdin Lamajt dhe Artan Arsit në Tiranë dhe atë të Klodian Saliut, në atentatin ku mbeti i plagosur edhe Osman Truma. Atentati ndaj Saliut erdhi pas ndarjes së bandës së Durrësit në dy grupe rivale.
SPAK kërkon 25 vjet burg për Emiljano Shullazin, i akuzuar për vrasjen e Vajdin Lamajt dhe Artan Arsit. Për të njëjtin atentat, Prokuroria e Posaçme kërkon nga 25 vjet burg edhe për Viktor Bajraktarin dhe Indrit Taullain, i cili akuzohet edhe për episodin e vrasjes së Saliut. Vetëm për Luftar Reçin ai bashkëpunëtor i drejtësisë, SPAK kërkon dënimin përfundimisht me vetëm 8 vite burg.
Sipas akuzës, vrasja e dyfishtë u krye në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal. Lamaj, president i Federatës së Boksit, dhe miku i tij Artan Arsi u vranë nga shpërthimi i tritolit të vendosur në ashensorin e njërës prej kullave pas stadiumit “Qemal Stafa”. Lënda plasëse u aktivizua me telekomandë në katin e pestë, ku banonte Lamaj. Ai humbi jetën në vend, ndërsa Arsi vdiq rrugës për në spital.
Për episodin tjetër, vrasjen me paramendim të Klodian Saliut, SPAK kërkon nga 25 vjet burg për Lulzim Berishën, Plaurent Dervishajn, Indrit Rusin, ndwrsa tw akuzuar janw edhe Indrit Taullai dhe Luftar Reçi. Të pestë akuzohen edhe për tentativën e vrasjes së Osman Trumës, i cili mbeti i plagosur në të njëjtin atentat.
Atentati ndaj Saliut ndodhi pas ndarjes së bandës së Durrësit në dy grupe rivale, njëri i drejtuar nga Lulzim Berisha dhe tjetri nga vetë Saliu. Indrit Taullai dhe Luftar Reçi akuzohen në të dyja episodet.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Lajmi në përditësim...










Komente
Komento