Ndërroi jetë në spital autori i dyshuar i sulmit me armë në Krakovë të Polonisë, ku mbetën të vrarë gjashtë persona. Policia polake konfirmoi se 24-vjeçari gjeti vdekjen në orët e para të mëngjesit, pasi u plagos gjatë shkëmbimit të zjarrit me efektivët.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 7 nëntor, në Sheshin Kryesor të Tregut në Krakovë. I dyshuari hapi zjarr ndaj personave që ndodheshin në zonë. Katër gra dhe dy burra mbetën të vrarë.
Sipas autoriteteve, efektivët e armatosur mbërritën me shpejtësi në vendngjarje dhe u përfshinë në një shkëmbim zjarri me sulmuesin, të cilin e neutralizuan brenda tre minutash nga nisja e sulmit, duke parandaluar një numër edhe më të madh viktimash.
Hetimet paraprake tregojnë se 24-vjeçari mund të jetë frymëzuar nga ideologjitë e ekstremit të djathtë. Ministri i Brendshëm e cilësoi “ultra-nacionalist”, pa dhënë detaje të mëtejshme mbi motivet e sulmit.
Mes gjashtë viktimave ishin katër polakë, një britanik dhe një austriake.
Ndërkohë, kryeministri polak, Donald Tusk bëri të ditur se gjatë kontrollit në banesën e të dyshuarit u gjetën edhe tre trupa të pajetë. Policia konfirmoi më vonë se bëhej fjalë për babanë 53-vjeçar, nënën 52-vjeçare dhe motrën 21-vjeçare të të dyshuarit.
Sipas mediave polake, 24-vjeçari kishte leje për armëmbajtje dhe dyshohet se armët mund t’i kishte marrë nga banesa e familjes.
Në total, 16 persona, përfshirë pesë shtetas të huaj, dy efektivë policie dhe vetë sulmuesin, u dërguan në spital pas ngjarjes. Të plagosurit dhe personat e prekur nga sulmi ishin nga Austria, Britania, Gjermania, Portugalia dhe Rusia. Pas tragjedisë, Polonia shpalli dy ditë zie kombëtare.