Albana Muja bëhet autorja e parë shqiptare që përkthehet në gjuhën çeke, drama “Era” prezantohet në Pragë
Shqipja dhe çekishtja janë bërë bashkë në një mbrëmje kushtuar artit, dramaturgjisë dhe letërsisë në Pragë, ku skenaristja, dramaturgja dhe pedagogia nga Kosova, Albana Muja, u prezantua para publikut çek si autorja e parë shqiptare, vepra e së cilës përkthehet në gjuhën çeke.
Në qendër të takimit ishte drama “Era”, e cila është përkthyer nga albanologu Jakub Tresnak, nën kujdesin dhe konsulencën shkencore të dr. Orkida Backus Borshit, udhëheqëse e Departamentit të Ballkanistikës në Universitetin e Karlit në Pragë.
Vepra trajton kujtesën, traumat e pasluftës dhe plagët njerëzore, duke sjellë përmes dramaturgjisë përvojat e shoqërisë kosovare në një rrëfim me dimensione universale, shkruan Telegrafi.
Gjatë mbrëmjes, të pranishmit patën mundësi të njihen më nga afër me krijimtarinë e autores, ndërsa bashkëbisedimi u shoqërua me interesim dhe shkëmbim mendimesh rreth veprës dhe tematikave që ajo trajton.
Përkthimi i dramës “Era” në gjuhën çeke shënon një hap të rëndësishëm për prezantimin e dramaturgjisë shqiptare në hapësirën kulturore çeke, duke bërë që historitë dhe përjetimet e Kosovës të kapërcejnë kufijtë gjuhësorë dhe të arrijnë te një audiencë e re./Telegrafi/





























