U arrestua sot për grabitjen e bankës në Tiranë, momenti kur 50-vjeçari u largua me skuter pas vjedhjes (VIDEO)

Detaje të reja janë zbardhur nga grabitja e bankës në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë, për të cilën policia arrestoi 50-vjeçarin Robert Duka, nga Vlora.
VIDEO- Momenti kur 50-vjeçari u largua me skuter pas grabitjes së bankës
Mësohet se i dyshuari kishte marrë një banesë me qira në Tiranë, ku edhe fshihej pas ngjarjes. Ai nuk jetonte përgjithmonë në kryeqytet, por qëndronte në Vlorë gjatë pjesës tjetër të vitit.
Ndërkohë, pamjet e kamerave të sigurisë kanë fiksuar momentin kur autori largohet nga banka pas grabitjes. Ai shfaqet i veshur tërësisht me të zeza, me skafandër në kokë dhe me një çantë në shpinë, teksa largohet me një skuter elektrik.
Grabitja ndodhi më 2 nëntor, rreth orës 10:45, kur personi i maskuar hyri në ambientet e bankës dhe, duke kërcënuar fillimisht punonjësin e sigurisë me një send që ngjante me armë zjarri, arriti të marrë një shumë parash nga sportelet.
Pas ngjarjes, ai u largua në drejtim të stadiumit “Selman Stërmasi”. Pas hetimeve, policia arriti ta lokalizojë dhe ta arrestojë pranë rrugës së Kosovarëve në Tiranë.
/vizionplus.tv




