Bullgur me fileto pule, e shpejtë dhe plot shije nga shefja e kuzhinës Albana Mançja

Përbërësit:
300 gr bullgur
300 gr fileto pule DIMAL
½ lugë gjelle gjalpë
250 gr spinaq
1 qepë e bardhë
2 karrota
2 thelpinj hudhër
¼ lugë çaji piper i kuq
¼ lugë çaji piper djegës
Pak nenexhik
2 lugë gjelle vaj ulliri
Pak piper i zi
Kripë sipas shijes
Ujë sipas nevojës
Përgatitja:
Presim fileton e pulës në kubikë dhe e kaurdisim me gjalpin dhe pak kripë, derisa të marrë një ngjyrë të bukur. Shtojmë pak ujë dhe e lëmë të ziejë për 5–6 minuta me kapak.
Kullojmë lëngun e pulës dhe e përdorim për të zier bollgurin. Shtojmë ujë në raportin 1 masë bollgur me 2 masa lëng.
Shpëlajmë bollgurin 2–3 herë me ujë të ftohtë, e hedhim në tenxhere dhe e ziejmë për rreth 15 minuta, derisa të përthithë lëngun.
Ndërkohë, grijmë imët qepën dhe hudhrën. I kaurdisim në një tigan me pak vaj ulliri. Shtojmë piperin e kuq dhe atë djegës, i përziejmë dhe hedhim 2–3 lugë ujë, derisa të krijohet një salcë aromatike.
Përzierjen e hedhim te bollguri. Shtojmë karotat e prera në kubikë të vegjël, spinaqin e grirë, nenexhikun, një filxhan ujë të nxehtë, fileton e pulës, piperin e zi, kripën dhe vajin e ullirit.
E lëmë të ziejë edhe 15 minuta në zjarr të ulët, derisa të bashkohen shijet dhe bollguri të zbutet plotësisht.
E largojmë nga zjarri, e mbulojmë me një pecetë të pastër dhe e lëmë të pushojë disa minuta, që të avullojë lagështia .




