E hënë, 9 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
“Shqipëria, titanik i krimit”, gazetari holandez rrëfen tmerrin e arrestimit në protestë
Lajme

“Shqipëria, titanik i krimit”, gazetari holandez rrëfen tmerrin e arrestimit në protestë

Gazetari holandez Vincent Yūsui van Gerven Oei, autor i medias “The Albanian Mechanism”, ka publikuar një dëshmi të detajuar mbi arrestimin e tij gjatë protestës së zhvilluar në Tiranë, duke ngritur akuza të rënda për mënyrën se si u trajtua nga Policia e Shtetit dhe kushtet me të cilat u përball gjatë ndalimit.

Në shkrimin e tij, gazetari rikthehet fillimisht te përvoja e vitit 2010, kur mbërriti për herë të parë në Shqipëri dhe nisi procedurat për pajisjen me leje qëndrimi. Ai përshkruan ndryshimet që kanë pësuar ndër vite institucionet shqiptare, nga zyrat e amortizuara dhe procedurat e ndërlikuara të dikurshme, te shërbimet më të centralizuara që u ngritën pas ardhjes së Edi Ramës në pushtet.

Megjithatë, sipas tij, përvoja e fundit në zyrat e migracionit e ka kthyer pas në kohë. Ai tregon se institucioni është zhvendosur në zonën e Sharrës, pranë ambienteve stërvitore të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, ku shërbimi ofrohet vetëm për dy orë në ditë.

Gazetari përshkruan ambiente të improvizuara, mungesë sinjalistike, kushte të papërshtatshme pritjeje dhe punonjës që, sipas dëshmisë së tij, i kanë kërkuar vazhdimisht dokumente shtesë, pavarësisht se ai kishte plotësuar listën zyrtare të kërkesave.

Por episodi që e riktheu në mënyrën më të drejtpërdrejtë përballë institucioneve shqiptare ishte arrestimi gjatë protestës së fundit.

Nga protesta te prangat: Si u arrestua gazetari holandez

Van Gerven Oei tregon se ishte nisur nga banesa rreth orës 14:30 për t’iu bashkuar protestës përpara Ministrisë së Arsimit. Në rrëfimin e tij, ai përshkruan një situatë të tensionuar, ku përplasjet verbale mes grupeve të ndryshme politike dhe studentëve kishin krijuar një atmosferë kaotike.

Sipas tij, një pjesë e mbështetësve të Partisë Demokratike drejtonin fyerje ndaj aktivistëve të Lëvizjes Bashkë, ndërsa studentët përpiqeshin të ruanin mesazhin e tyre kundër qeverisë dhe opozitës tradicionale, përmes thirrjes: “Rama në burg, Berisha në burg”.

Ai përmend gjithashtu praninë e grupeve nacionaliste dhe përshkruan momentet kur disa protestues të maskuar, të cilët i identifikon si pjesëtarë të të ashtuquajturit “grupi i zjarrit”, zhvendosën kazanë mbeturinash me materiale të djegshme drejt vijës së parë dhe u vunë flakën.

Policia reagoi me autobotë uji dhe gaz lotsjellës, ndërsa turma u shpërnda në disa drejtime. Gazetari vëren se skenat e përplasjes i dukeshin si një skenar i përsëritur, me lëvizje që ngjanin të organizuara dhe të praktikuara më parë.

Më vonë, një grup protestuesish u zhvendos drejt zonës mes Parkut Rinia dhe Bankës Kombëtare. Në atë moment, sipas tij, policia nisi të afrohej nga disa drejtime, duke ndërhyrë edhe përmes parkut.

Teksa po largohej drejt shatërvanit, gazetari u përball me rreth pesë efektivë të armatosur, të cilët e ndaluan dhe vendosën ta shoqëronin në komisariat.

Ai tregon se vetë efektivët nuk ishin në një mendje nëse duhej ta arrestonin apo ta linin të lirë. Pavarësisht kësaj, nuk iu komunikua një arsye konkrete për ndalimin.

Situata u përkeqësua kur një gazetare tjetër, e cila po filmonte arrestimin dhe po thërriste emrin e tij, u spërkat në fytyrë me gaz lotsjellës nga një prej policëve. Sipas dëshmisë, edhe ai u godit me një dozë gazi, duke humbur menjëherë aftësinë për të parë.

Pesë orë në komisariat: Nuk më treguan arsyen e ndalimit dhe nuk më lejuan të kontaktoja ambasadën

Pasi u fut në automjetin e policisë, gazetari u kontrollua dhe u identifikua. Më pas u transferua në Komisariatin e Policisë Nr. 3, në rrugën e Mine Pezës, pikërisht në të njëjtin institucion ku kishte shkuar për herë të parë për dokumentet e qëndrimit në Shqipëri, 16 vite më parë.

Ai pretendon se, pavarësisht gjendjes së rënduar shëndetësore nga ekspozimi ndaj gazit lotsjellës, fillimisht nuk iu ofrua ndihmë e përshtatshme mjekësore. Sipas tij, iu lejua vetëm të shpëlante fytyrën me ujë, ndërsa dhimbjet dhe vështirësitë në shikim vazhduan edhe pasi u vendos në qelinë e ndalimit.

Një tjetër problem që ai evidenton është mungesa e informacionit për të drejtat e tij. Gazetari pretendon se për disa orë askush nuk i komunikoi arsyen e arrestimit dhe as nuk i lexoi të drejtat që gëzonte si person i ndaluar.

Ai kërkoi të kontaktonte ambasadën holandeze, por thotë se kërkesa iu refuzua fillimisht. Vetëm pas disa orësh, kur ndërhyri një punonjëse e policisë gjyqësore që fliste anglisht, u arrit të vendosej kontakti me përfaqësinë diplomatike.

Në rrëfim përmenden edhe kushtet brenda komisariatit. Gazetari përshkruan një qeli me stola druri, instalime elektrike të ekspozuara, një tualet të papërshtatshëm dhe mungesë të pajisjeve bazë. Dokumentacioni i tij, sipas tij, plotësohej me shkrim dore në një tryezë korridori, pa pasur asnjë kompjuter në përdorim.

Një moment që i ka bërë veçanërisht përshtypje lidhet me dokumentin për komunikimin e të drejtave. Sipas tij, letra që iu paraqit për firmosje nuk përmbante datën dhe orën e njoftimit, duke ngritur dyshime se këto të dhëna mund të plotësoheshin më vonë.

Ai pretendon gjithashtu se efektivë të ndryshëm e fotografuan disa herë me telefonat e tyre personalë, në poza të ndryshme, me dhe pa maskën kundër gazit.

Biseda me efektivët: “Edhe ti i ke harruar të gjitha të mirat që ka bërë Rama?”

Gjatë qëndrimit në komisariat, gazetari tregon se pati mundësi të bisedonte me një efektiv të ri, të cilin në shkrimin e tij e identifikon me emrin Bledi.

Sipas rrëfimit, polici ishte në fillim të të njëzetave, kishte vetëm dy muaj në detyrë dhe ishte transferuar në Tiranë pas nisjes së protestave studentore. Ai i tregoi gazetarit se kishte qenë edhe në terren gjatë protestës dhe e përshkroi përvojën si një situatë me shumë adrenalinë.

Një tjetër punonjëse, Alba, e cila do të merrte deklaratën e tij, e pyeti nëse dëshironte të pajisej me avokat. Në vijim, gazetari tregon se telefoni iu komunikua se do të sekuestrohej si provë.

Përpara se të përfundonte procedura, ai pati edhe një përballje verbale me një tjetër efektiv, i cili po i kërkonte llogari të riut Joni, të arrestuar së bashku me të.

Polici i kujtoi këtij të fundit, në mënyrë këmbëngulëse, investimet dhe përmirësimet që, sipas tij, qeveria Rama kishte sjellë në vend, duke përmendur rrugët, pagat dhe arsimin.

Përgjigjja e Jonit ishte e shkurtër: ai dëshironte thjesht ndryshimin e qeverisë.

Më pas, efektivi iu drejtua edhe gazetarit, duke kërkuar të dinte nëse ishte dakord me argumentet e tij. Van Gerven Oei iu përgjigj duke e zhvendosur diskutimin te pakënaqësia e qytetarëve dhe arsyet që i shtyjnë ata të dalin në protesta, pavarësisht pretendimeve për arritjet e qeverisë.

Nga 21 janari 2011 te protestat e vitit 2026: Një histori 15-vjeçare përballjesh

Një pjesë të rëndësishme të shkrimit, gazetari ia kushton krahasimit mes zhvillimeve të 21 janarit 2011 dhe situatës aktuale politike në Shqipëri.

Ai kujton se protestat e asaj kohe, të organizuara kundër qeverisë së Sali Berishës dhe Ilir Metës, përbënin një nga ngjarjet e para që ndoqi si gazetar në Shqipëri.

Van Gerven Oei rikthen edhe shënimet e tij të asaj dite, kur përshkruante përplasjet në bulevard, përdorimin e gazit lotsjellës, djegien e automjeteve dhe të shtënat me armë pranë Kryeministrisë.

Sipas tij, pas 15 vitesh, skenat e tensionit dhe dhunës janë rikthyer, por tashmë në një realitet tjetër politik.

Ai e lidh këtë situatë me protestat e ashtuquajtura “Revolucioni i Flamingove”, duke kritikuar ashpër mënyrën e ndërhyrjes së Policisë së Shtetit, qëndrimin e kryeministrit Edi Rama dhe atë që e konsideron indiferencë të institucioneve europiane përballë zhvillimeve në Shqipëri.

Në analizën e tij, gazetari shpreh shqetësimin se protesta ka humbur një pjesë të mesazhit fillestar për shkak të përçarjeve politike, ndërsa qytetarët dhe studentët përballen me mungesën e një alternative të besueshme politike.

“Shqipëria është një Titanik i krimit”

Në pjesën përmbyllëse të shkrimit, Van Gerven Oei ndalet te gjendja politike dhe institucionale e vendit, duke ngritur pikëpyetje për të ardhmen e protestave dhe mundësinë e ndryshimit të pushtetit.

Sipas tij, as protestuesit dhe as efektivët e policisë nuk mund ta përballojnë pafundësisht këtë nivel tensioni dhe përplasjeje. Të dyja palët, në vlerësimin e tij, janë të rraskapitura, ndërsa nuk shfaqet një perspektivë konkrete për bashkëpunim politik që mund të ndryshojë raportet aktuale të pushtetit.

Gazetari kritikon edhe qëndrimin e ndërkombëtarëve, të cilët, sipas tij, vazhdojnë ta shohin qeverinë e Edi Ramës si garanci stabiliteti, për shkak të mungesës së një alternative bindëse politike.

Ai përdor gjuhë tejet të ashpër për të përshkruar mënyrën se si e percepton shtetin shqiptar, duke e krahasuar atë me një organizatë gjigante ku, sipas tij, korrupsioni, trafikimi dhe intimidimi kanë depërtuar në të gjitha nivelet.

“Shqipëria është një Titanik i krimit, që ende është në kërkim të ajsbergut të vet”, është fjalia me të cilën ai përmbledh qëndrimin e tij ndaj realitetit shqiptar.

Pas pesë orësh nga regjistrimi si person i ndaluar, gazetari u la i lirë. Jashtë komisariatit e prisnin miqtë e tij, të cilët i kishin sjellë ushqimin e mbetur nga darka që kishte humbur për shkak të arrestimit.

Megjithatë, ai pretendon se u largua pa marrë kopje të dokumenteve që kishte firmosur, përfshirë procesverbalin dhe aktet që lidhen me sekuestrimin e telefonit.

Rrëfimi i Vincent Yūsui van Gerven Oei përfundon me kthimin në jetën e zakonshme, por edhe me paralajmërimin se përvoja e përjetuar në komisariat do të jetë pjesë e materialit që ai do të shkruajë për Shqipërinë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.