Tragjedi në SHBA: Burri vret gruan 39-vjeçare para tre fëmijëve, pesë muaj më parë ishte pajisur me urdhër mbrojtjeje

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Karolinën e Veriut në SHBA, ku 39-vjeçarja Alisa Iovenitti u vra nga bashkëshorti i saj 40-vjeçar, Thomas John Iovanetti, pavarësisht se ndaj tij ishin vendosur masa kufizuese për dhunë në familje.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 23 tetorit, pasi policia mori një telefonatë për një incident në një banesë, ku dyshohej se përfshiheshin një burrë i armatosur dhe një grua.
Kur mbërritën në vendngjarje, efektivët tentuan të kontaktonin personat brenda banesës, por nuk morën përgjigje. Pasi hynë me forcë, gjetën çiftin me plagë të dukshme nga thika.
Pavarësisht ndërhyrjes së ekipeve mjekësore, 39-vjeçarja u shpall e vdekur, ndërsa bashkëshorti i saj u transportua në spital në gjendje kritike.
Sipas hetimeve, krimi ndodhi në praninë e tre fëmijëve të çiftit, dy prej të cilëve janë 9 vjeç dhe njëri 10 vjeç.

Kishte masa mbrojtëse ndaj bashkëshortit
Më 9 maj, ndaj 40-vjeçarit ishin ngritur akuza për dhunë në familje, pas një denoncimi të bashkëshortes së tij. Akuzat përfshinin sulm me armë të rrezikshme, sulm me forcë që mund të shkaktonte dëmtime të rënda trupore, lëndim fizik të bashkëshortes dhe privim të paligjshëm të lirisë.
Në seancën gjyqësore të 19 majit, gjykatësi caktoi një garanci prej vetëm 1.000 dollarësh, pavarësisht kundërshtimeve të prokurorisë. Gjithashtu, ai urdhëroi të mos i afrohej bashkëshortes dhe të mos kthehej në banesën familjare.
Rrezikon deri në burgim të përjetshëm
Thomas John Iovanetti është akuzuar për vrasje dhe përpjekje për të penguar një dëshmitar që të raportonte një krim.
Ai mbahet në paraburgim pa të drejtë lirimi me garanci. Nëse shpallet fajtor, përballet me një dënim që mund të arrijë deri në 29 vite burg ose burgim të përjetshëm.
Ndërkohë, është nisur një fushatë për mbledhjen e 100.000 dollarëve për tre fëmijët, me qëllim sigurimin e një shtëpie të qëndrueshme, mbështetjes psikologjike dhe kushteve për të rindërtuar jetën pas kësaj tragjedie.
/vizionplus.tv



