Partia Socialiste dhe Partia Demokratike pritet të ulen sot përballë njëra-tjetrës në tryezën e Reformës Zgjedhore. Pas disa muajsh bllokimi, sot rimblidhet Komisioni i Posaçëm Parlamentar, i cili duket se do të nisë punën pa dakordësinë e palëve.
Komisioni i posaçëm do të rishikojë formulën e përfaqësimit në Këshillat Bashkiakë, pas ndarjes së re territoriale.
Palët do të duhet të adresojnë edhe rekomandimet e OSBE/ ODIHR dhe Komisionit Evropian për një reformë të thellë zgjedhore që nuk duhet të përfshijë vetëm dy partitë e mëdha PD-PS por edhe partitë e tjera.
Propozimi i PD është për lista 100% të hapura, edhe në zgjedhjen e këshillave bashkiakë. Ndërsa socialistët ende nuk e kanë një propozim mbi sistemin zgjedhor, por kanë paralajmëruar se nëse nuk gjendet një rrugë e dakordësuar do të vijojnë të vetëm reformën.
Por, komisioni duhet të nxitojë pasi në fund të muajit i përfundon mandati dhe mazhoranca ka paralajmëruar se nuk do të ketë shtyrje.