
Ka ndërruar jetë në spital 24-vjeçari i dyshuar për sulmin me armë në sheshin kryesor të Krakovit, në Poloni, ku mbetën të vrarë gjashtë persona dhe u plagosën 15 të tjerë, mes tyre edhe dy efektivë policie, përcjell Euronews.
Policia e rajonit të Polonisë së Vogël njoftoi se i riu ndërroi jetë në orët e para të së hënës. Ai ishte plagosur gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë të shtunën dhe ishte dërguar në spital në gjendje kritike, ku iu nënshtrua disa ndërhyrjeve kirurgjikale.
Guvernatori i rajonit, Krzysztof Klęczar, konfirmoi për televizionin TVN24 se 24-vjeçari ndërroi jetë rreth orës 04:30. Sipas tij, 15 personat e tjerë të plagosur vijojnë të marrin trajtim në gjashtë spitale të Krakovit.
Viktimat e sulmit janë katër shtetas polakë, një britanik dhe një shtetase austriake. I dyshuari ishte shtetas polak dhe banonte në qytetin Ostrowiec Świętokrzyski. Sipas autoriteteve, ai nuk kishte precedentë penalë dhe zotëronte leje për armëmbajtje.
Ministri i Brendshëm polak deklaroi se 24-vjeçari dukej i përfshirë nga ideologjitë e ekstremit të djathtë, ndërsa kryeministri Donald Tusk e cilësoi sulmin si akt terrorizmi.
Ndërkohë, policia ka gjetur edhe tre trupa të pajetë në banesën e të dyshuarit në Ostrowiec Świętokrzyski. Viktimat janë babai 53-vjeçar, nëna 52-vjeçare dhe motra 21-vjeçare e tij. Në trupat e tyre janë konstatuar plagë që dyshohet se janë shkaktuar nga armë zjarri.
Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se i njëjti person është përgjegjës për sulmin në Krakov dhe vrasjet e familjarëve të tij. Prokuroria ka nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e të dyja ngjarjeve, ndërsa ekspertizat mjekoligjore pritet të zgjasin rreth dy ditë.