Në episodin e 72-të të podcastit PIKË me publicistin Veton Surroi, i ftuar është avokati dhe ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës në vitet ‘90, Ilaz Ramajli. (Pjesa e dytë)
Ramajli për 2 Korrikun: Kuvendin e Kosovës e kishin rrethuar policë të armatosur, na i morën kompetencat
Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës në vitet ’90, Ilaz Ramajli, ka rrëfyer momentet e para para votimit të Deklaratës së 2 Korrikut 1990, kur forcat serbe kishin marrë nën kontroll ndërtesën e Kuvendit të Kosovës dhe kishin penguar mbajtjen e mbledhjes së delegatëve.
Në bashkëbisedimin me publicistin Veton Surroi në podcastin “PIKË”, Ramajli ka treguar se kishte shkuar në punë rreth orës 07:00, pa e ditur se atë ditë do të ndodhte diçka e jashtëzakonshme. Sipas tij, indikacionin e parë se situata kishte ndryshuar e kishte marrë rreth orës 08:00, kur në kabinetin e tij kishte hyrë një zyrtar policor që siguronte ndërtesën e Kuvendit.
“Nënkryetar, na i morën kompetencat”, i kishte thënë ai Ramajlit.
Kur e kishte pyetur se kush ua kishte marrë kompetencat, zyrtari i ishte përgjigjur se një njësi e veçantë, e cila nuk ishte pjesë e Policisë së Kosovës, i kishte larguar nga hyrjet dhe zyrat që i ruanin.
Ramajli ka treguar se më pas kishte mësuar se dyert e Kuvendit ishin mbyllur dhe ndërtesa ishte rrethuar nga policë të uniformuar me pajisje të plota, përfshirë skafandrat.
Ai ka rrëfyer edhe përpjekjet që kishte bërë për të gjetur një zgjidhje me drejtuesit e atëhershëm të institucioneve të Kosovës, në mënyrë që delegatët të lejoheshin të hynin në Kuvend.
“Jusufi (Karakushi, ish-ministër i Brendshëm) tha: ‘Ilaz! Unë edhe zyrën ma kanë okupu, nuk jam ma në zyrën time. A po e sheh? Në këtë situatë jam’”, ka treguar Ramajli.
Sipas tij, në atë moment e kishte kuptuar se situata nuk mund të ndryshohej më dhe kishte vendosur të dilte te delegatët, të cilët po përgatiteshin për mbajtjen e mbledhjes jashtë ndërtesës së Kuvendit.
Gjatë bisedës, Surroi e ka cilësuar atë që kishte ndodhur si grusht shtet, ndërsa Ramajli është pajtuar me këtë përshkrim.
“Absolutisht kishin ardhë njerëz të tjerë të armatosur, policë. Edhe atëherë unë vendosa që nuk ka më arsye me ndejt dhe dola te delegatët”, ka thënë ai.
Ramajli ka treguar se para fillimit të mbledhjes kishte biseduar me Muharrem Shabanin, i cili do ta lexonte Deklaratën Kushtetuese. Ai ka përmendur edhe diskutimet rreth përmbajtjes së dokumentit dhe një version tjetër të tij, të prezantuar nga delegati Ruzhdi Bakalli.
Në fund, delegatët e kanë miratuar Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut 1990, përmes së cilës Kosova shpallej njësi e barabartë dhe e pavarur në kuadër të federatës jugosllave. Ramajli ka veçuar edhe nënshkrimin e delegatëve, duke sqaruar se ata fillimisht kishin nënshkruar për prezencën e tyre në mbledhje.
Surroi: Deklarata e 2 Korrikut nuk ishte iniciativë e udhëheqjes politike, por e vetë delegatëve
Publicisti Veton Surroi ka thënë se Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990 nuk kishte ardhur si iniciativë e udhëheqjes politike të Kosovës, por ishte rezultat i një nisme të vetë delegatëve të Kuvendit të Kosovës.
Në bashkëbisedimin në podcastin “PIKË”, me ish-kryetarin e Kuvendit të Kosovës në vitet ’90, Ilaz Ramajli, Surroi ka treguar se ishte informuar për këtë iniciativë nga disa deputetë.
“Ka ekzistuar një përkrahje e plotë, por ajo që nuk dihet është që kjo punë nuk ka rrjedhë prej udhëheqjes politike. Kjo ka qenë një iniciativë e vetë deputetëve të Kuvendit”, ka thënë Surroi.
Edhe Ramajli e ka konfirmuar se iniciativa për hartimin e Kushtetutës së re të Kosovës kishte nisur nga delegatët, duke përmendur propozimin e Ramadan Kelmendit, i cili fillimisht ishte mbështetur me nënshkrimet e 37 delegatëve.
Sipas Ramajlit, numri i delegatëve që mbështetën këtë nismë më pas ishte rritur në 67, ndërsa Komisioni Kushtetues kishte nxjerrë si konkludim që Kuvendi të niste punën për hartimin e Kushtetutës së re të Kosovës.
“Ramadan Kelmendi ka qenë ai që doli me propozimin për fillimin e procedurës për bërjen e Kushtetutës. [...] Iniciativat kanë qenë prej delegatëve, për shkak se e njëjta gjë ndodhte edhe në njësitë e tjera federative”, ka deklaruar Ramajli.
Ai ka shtuar se formulimin juridik të dokumentit e kishin bërë profesionistët, ndërsa tekstin e Deklaratës, sipas tij, e kishte hartuar profesori Gazmend Zajmi.
Ramajli rrëfen takimin me Millosheviqin: Më tha se kush e kalon murin e Serbisë, do ta dëmtojë kokën
Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës në vitet ’90, Ilaz Ramajli, ka rrëfyer në podcastin “PIKË”, në bashkëbisedim me publicistin Veton Surroi, një takim që kishte pasur me ish-presidentin serb, Sllobodan Millosheviq, në Beograd, në kohën kur po kundërshtoheshin ndryshimet kushtetuese që synonin suprimimin e autonomisë së Kosovës.
Ramajli ka treguar se ishte ftuar papritur në një takim të përbashkët të kryesive të Kosovës dhe Serbisë, në Beograd, pasi strukturat serbe kishin kuptuar se ndryshimet kushtetuese mund të mos kalonin në Kuvendin e Kosovës.
Ai ka thënë se ftesën për takim e kishte marrë nga Hysen Kajdomçaj, i cili e kishte njoftuar se duhej të niseshin menjëherë me aeroplan drejt Beogradit. Sipas Ramajlit, gjatë takimit, ku ishte i pranishëm edhe Millosheviqi, kryetari i Kuvendit të atëhershëm serb, Bozhoviq, e kishte akuzuar atë se po e prishte unitetin e udhëheqjes së Kosovës dhe po organizonte delegatët kundër ndryshimeve kushtetuese.
Ramajli ka rrëfyer se Millosheviqi më pas i kishte dhënë fjalën për të shpjeguar qëndrimin e tij, por gjatë diskutimit i kishte ndërprerë fjalën për t'i kërkuar që ndryshimet kushtetuese të mbështeteshin formalisht.
“Unë du me qenë i qartë këtu. Nuk jam njeri që këtu them diçka tjetër dhe në Kosovë diçka tjetër. Unë e kam pa formatin e ndryshimeve të Kushtetutës dhe unë jam personalisht kundër ndryshimeve kushtetuese. Sa di unë, edhe delegatët e tjerë janë kundër, për shkak se i kanë kuptu. Por unë po flas për veti, atje do të votoj kundër”, ka rrëfyer Ramajli se i kishte thënë Millosheviqit.
Sipas tij, në përfundim të takimit, Millosheviqi kishte përdorur një metaforë kërcënuese, duke thënë se Serbia kishte vendosur një mur dhe se askush nuk do të lejohej ta kalonte atë.
“Serbia e ka vendosë një mur. Duhet me kuptu që atë mur nuk kena me leju me kalu askush. Kush don me kalu atë mur, duhet atij muri me i ra me kokë, dhe dihet mes murit dhe kokës kush dëmtohet”, ka treguar Ramajli fjalët e Millosheviqit.
Ramajli ka thënë se takimi ishte organizuar për ta frikësuar atë dhe për ta detyruar të merrte ndonjë zotim lidhur me votimin e ndryshimeve kushtetuese.
Ai ka shtuar se atmosfera gjatë takimit dhe darkës së organizuar pas tij ishte jashtëzakonisht e rëndë, pasi, siç ka thënë, ishte identifikuar personalisht si kundërshtar i këtyre ndryshimeve.