Asambleja Federale më 30 janar voton për presidentin. Ilse Aigner do të ishte gruaja e parë në postin e presidentes së Gjermanisë dhe njëkohësisht politikania e parë e CSU-së në postin më të lartë shtetëror të vendit.
Kryetari i CDU-së dhe kancelari gjerman Friedrich Merz ka vendosur tashmë të mbështesë politikanen bavareze të CSU-së, Ilse Aigner, si pasuese të presidentit Frank-Walter Steinmeier.
Më 30 janar 2027 do të vendosë Asambleja Federale, në të cilën partitë konservatore të Unionit CDU dhe CSU, së bashku me socialdemokratët, vazhdojnë të kenë shumicën edhe pas zgjedhjeve më të fundit në landet gjermane. Kështu, zgjedhja e saj konsiderohet shumë e mundshme.
Një politikane që di të krijojë rrjete
Ilse Aigner nuk ka maturë dhe as diplomë universitare. Kjo bie në sy në një kohë kur disa duket se e konsiderojnë diplomën në drejtësi pothuajse si një parakusht të lindur për një karrierë politike. Më e vogla nga katër motrat, prindërit e së cilës kishin një biznes artizanal në fushën e elektroteknikës, Aigner është e kualifikuar si teknike radioje dhe televizioni dhe elektroteknike e certifikuar nga shteti. Ajo di të ndërtojë rrjete. E di si funksionojnë rrjetet elektrike. Dhe e ka dëshmuar veten edhe në krijimin e rrjeteve politike.
Për disa vite ajo punoi në grupin "Eurocopter", që sot i përket koncernit Airbus, ku zhvillonte komponentë elektrikë për helikopterë. Në vitin 1994 hyri në parlamentin e landit të Bavarisë si deputete eCSU-së. Më vonë, nga viti 1998 deri më 2013, ishte deputete në Bundestag, ndërsa nga viti 2008 deri më 2013 shërbeu si ministre e Bujqësisë dhe e Mbrojtjes së Konsumatorit në qeverinë e kancelares Angela Merkel (CDU). Të dyja janë fusha ku presioni publik është i madh, sidomos në rastet e skandaleve ushqimore, dhe ku veprojnë organizata të fuqishme lobimi, duke përfshirë edhe konflikte në nivel të BE-së. Aigner e kaloi këtë periudhë pa kriza të mëdha dhe fitoi një vlerësim të konsiderueshëm.
Politika e personelit të partive nganjëherë ngjan me një lojë të madhe strategjike. Në vitin 2013 Aigner u largua nga skena politike federale dhe shkoi në Mynih si ministre e Ekonomisë e Bavarisë. Kryeministri i atëhershëm Horst Seehofer, i cili ashtu si Aigner vinte nga Bavaria e Epërme, donte ta përgatiste atë si pasuesen e tij.
Bashkudhëtarë dhe rivalë: Söder dhe Aigner
Por në mes hyri Markus Söder nga Frankonia, në atë kohë ministër i Financave i CSU-së në Bavari. Aigner dhe Söder kishin hyrë njëkohësisht në parlamentin bavarez në vitin 1994, si dy deputetët më të rinj të asaj kohe. Qysh atëherë, rrugët e tyre janë kryqëzuar vazhdimisht. Aigner nuk u bë kurrë kryeministre e Bavarisë. Por prej tetë vjetësh ajo është presidente e parlamentit bavarez dhe gëzon autoritet të madh në këtë land.
Prej muajsh Aigner përmendej si kandidate për postin më të lartë shtetëror të Gjermanisë ose konsiderohej favorite. Që në prill, kryeministri i Bavarisë Markus Söder kishte hedhur publikisht emrin e saj në diskutim për postin e presidentes së Gjermanisë. Me kalimin e kohës pati sinjale mbështetëse nga përfaqësues të CDU-së dhe CSU-së, por edhe nga radhët e SPD-së dhe të të Gjelbërve. Megjithatë, kancelari Merz dukej se kishte rezerva. Emra të tjerë u shfaqën. Dhe u zhdukën.
Kur kryetari i CDU-së dhe kancelari Friedrich Merz mori pjesë në kongresin e CSU-së në Mynih, afro dy javë më parë, dhe përmendi me emër Ilse Aigner në fjalët e tij të përshëndetjes, iu desh të ndalonte për shkak të duartrokitjeve të fuqishme të delegatëve, të cilët u ngritën demonstrativisht në këmbë.
Kancelari Friderich Merz duke shktrPolitikania kristiansociale nga Bavaria, Ilse Aignernguar duart me politikanen kristiansocialae nga Bavaria, Ilse Aigner.Kancelari Friderich Merz duke shktrPolitikania kristiansociale nga Bavaria, Ilse Aignernguar duart me politikanen kristiansocialae nga Bavaria, Ilse Aigner.
Në janar, siç raportonte atëherë gazeta e Mynihut "Merkur", gjatë një vizite në një shkollë në Tegernsee, Aigner iu përgjigj pyetjeve të nxënësve të klasës së katërt për gazetën e tyre të shkollës. Karriera e saj, tregoi politikania e CSU-së, nuk kishte qenë e planifikuar. Por ajo nuk kishte mundur kurrë "ta mbante gojën mbyllur" dhe pikërisht kjo kishte qenë një nga arsyet pse ishte zgjedhur në postet e saj.
Gjatë karuselit të kandidatëve brenda Unionit, vetë Aigner u përmbajt në masë të madhe nga komentet. Pra, këtë herë ajo ia doli vërtet "ta mbante gojën mbyllur".
Me Aigner, Gjermania do të kishte për herë të parë një grua në postin e presidentes së vendit. Ajo do të ishte gjithashtu e para që nuk ka qenë kurrë e martuar dhe që është beqare. Që nga viti 1949, këtë post e kanë mbajtur vetëm burra. Megjithatë, që nga viti 1999, pothuajse çdo herë ka pasur edhe kandidate gra. Atë vit, Unioni nxori si kandidate fizikanten nga Turingia dhe presidenten e një universiteti Dagmar Schipanski (1943–2022), ndërsa PDS-ja, pararendësja e partisë E Majta, kandidoi teologen katolike Uta Ranke-Heinemann (1927–2021) ndaj socialdemokratit Johannes Rau.
Për shkak të raporteve të forcave në Asamblenë Federale, të dyja mbetën kandidate simbolike të pakicave të tyre politike, pa shanse reale për fitore. E njëjta gjë ndodhi edhe me të gjitha kandidatet e tjera gra që pasuan. Për këtë arsye, presioni për të zgjedhur më në fund një grua si kandidate të shumicës u rrit gjithnjë e më shumë. Aigner prej kohësh gëzon respekt të madh në kampin e qendrës së djathtë.
CSU-ja në nivel federal
Zgjedhja e Aigner do të sillte ndryshime edhe brenda CSU-së, partisë simotër bavareze të CDU-së. Deri më sot nuk ka pasur asnjë president federal nga CSU-ja dhe asnjë kancelar federal nga kjo parti. Vetëm një herë një politikan kristiansocial, Richard Stücklen (1916–2002), mbajti për katër vjet, duke filluar nga viti 1979, postin e presidentit të Bundestagut. Në sistemin gjerman, formalisht ky është posti i dytë më i lartë shtetëror.
Nëse Aigner do të merrte rrugën drejt Presidencës Federale, kjo do t'u jepte fund edhe ambicieve të mundshme të Markus Söderit për postin e kancelarit. Aigner do ta kishte tejkaluar Söderin në politikën federale. Në Bavari, 61-vjeçarja, e cila gëzon nivele të larta popullariteti, konsiderohej edhe kohët e fundit si rivalja e natyrshme e kryeministrit 59-vjeçar.
Në fund të fundit, kancelari aktual Friedrich Merz, me mbështetjen e tij për Aigner, i ka hapur rrugën edhe një politikani të CDU-së për të marrë drejtimin e qeverisë, nëse Unioni do ta fitonte sërish mundësinë për të drejtuar kancelarinë pas zgjedhjeve të ardhshme federale. Kushdo qoftë ai. Sepse anëtarët e CDU-së vështirë se do të pranonin një kancelar nga CSU-ja krahas një presidenteje federale që vjen po nga radhët e CSU-së.
Por fillimisht është radha e Asamblesë Federale, e cila do të votojë më 30 janar. Ndërsa marrja zyrtare e detyrës është parashikuar për mesin e marsit./ DW







Komente
Komento