Prokuroria e Lartë Publike në Novi Sad ka goditur një rrjet abuzimesh financiare me fondet publike, duke prangosur kryetarin e Komunës së Inxhijës, Marko Gašić, si dhe pesë persona të tjerë. Pjesë e hetimit është edhe një person i shtatë, i cili është shpallur në kërkim. Të ndaluarit akuzohen për një sërë shkeljesh të rënda,përfshirë manipulimin e prokurimeve publike, shpërdorimin e detyrës dhe pastrimin e parave.
Sipas dosjes hetimore, bëhet fjalë për një skemë të shtrirë gjatë periudhës 2023–2025, ku në qendër të abuzimeve janë kryetari Gašić dhe zyrtari me iniciale U.T., në cilësinë e drejtuesve të ndërmarrjes vendore “Inđija put”. Ata dyshohet se kanë paracaktuar fituesin e tenderëve për vendosjen e sinjalistikës rrugore në komunitet.
Sipas prokurorisë, procedura është zhvilluar në kundërshtim me ligjin për të favorizuar një kompanie të caktuar. Më pas, nga arka e shtetit janë autorizuar pagesa në vlerën e rreth 230 mijë eurove (26.9 milionë dinarë serbë) për punime që nuk u realizuan kurrë.
Në këtë skemë mashtrimi dyshohet se u përfshinë edhe tre zyrtarë të tjerë (Đ.V., Đ.D. dhe D.M.), të cilët falsifikuan dhe certifikuan dokumentacionin teknik për të justifikuar kalimin e fondeve. Paralelisht, një tjetër person me inicialet T.J. po hetohet për pastrim parash, pasi përdori fatura fiktive për shërbime ndërtimi me qëllim humbjen e gjurmëve të parave të vjedhura.
Të arrestuarit do të mbahen në ndalim për 48 orë për t’u marrë në pyetje nga Departamenti Special Kundër Korrupsionit në Novi Sad.













