
Nga Stephen M. Walt
Nëse jeni amerikan, me shumë gjasë jeni lodhur tej mase duke humbur luftëra. E di që unë jam lodhur. Dhe ndoshta po pyesni veten: “Pse vazhdon të ndodhë kjo?”
Është një paradoks sa intrigues, aq edhe zhgënjyes: Megjithëse Shtetet e Bashkuara kanë qenë, prej shumë dekadash, vendi më i fuqishëm në botë, me një buxhet ushtarak dhe kapacitete luftarake të pakrahasueshme, bilanci i tyre në historinë e kohëve të fundit përbëhet kryesisht nga humbje.
Këtu përfshihet edhe lufta aktuale me Iranin, e cila ende nuk ka arritur asnjërin prej objektivave të shpallura të administratës Trump dhe që, me shumë gjasë, do të përfundojë duke e lënë Iranin në një pozitë strategjike dukshëm më të fortë.
Le t’i shqyrtojmë me radhë. Lufta e Koresë përfundoi në barazim (për këtë do të flasim më vonë). Vietnami ishte një humbje e qartë, ashtu siç ishin edhe Lufta e Irakut dhe “lufta e pafundme” në Afganistan.
Lufta e Kosovës e vitit 1999 vështirë se mund të quhet një triumf, pasi Serbia arriti të siguronte, në përfundim të konfliktit, kushte më të favorshme sesa ato që i ishin ofruar përpara fillimit të luftimeve.
Nëse nuk përfshijmë pushtimin e Grenadës, një shtet i vogël ishullor, në vitin 1983 (një përballje aq e pabarabartë sa vështirë se mund të merret seriozisht si tregues), atëherë e vetmja fitore e qartë amerikane gjatë gjithë këtyre dekadave ishte Lufta e Gjirit e vitit 1991.
Po, e di: Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre e “fituan” Luftën e Ftohtë. Por ky është një përjashtim që përforcon rregullin, sepse bëhej fjalë për një “luftë” që nuk përfshiu kurrë një përplasje të drejtpërdrejtë ushtarake me Bashkimin Sovjetik.
Pse, atëherë, Shtetet e Bashkuara kanë pasur një bilanc kaq të dobët?
Sigurisht që kjo nuk vjen nga mungesa e parave, duke pasur parasysh madhësinë e buxhetit amerikan të mbrojtjes dhe gatishmërinë e Kongresit për të miratuar fonde shtesë sa herë që i kërkohen.
Nuk bëhet fjalë as për mungesë të fuqisë së zjarrit, pasi Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë jashtëzakonisht të afta për të shkatërruar objektiva, madje edhe në distanca të konsiderueshme nga brigjet e tyre.
Kjo aftësi mund të jetë dobësuar disi aktualisht, duke pasur parasysh mënyrën se si presidenti amerikan Donald Trump dhe sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth kanë shpërdoruar rezervat e vendit me raketa të avancuara në luftën e tyre të pamenduar mirë kundër Iranit. Por as ky faktor nuk shpjegon përse fitorja ka qenë kaq e vështirë për t’u arritur.
Shkaku nuk është as mungesa e guximit në radhët e forcave të armatosura amerikane, pjesëtarët e të cilave vazhdojnë të jenë të gatshëm të vënë veten në rrezik, shpesh duke treguar heroizëm.
Dhe sigurisht që nuk ndodh sepse ushtarëve amerikanë u mungon testosteroni, pavarësisht se çfarë mund të mendojë sekretari i papërgjegjshëm i vendit për Mbrojtjen (apo për humbjen e një lufte).
Në të vërtetë, arsyet pse Shtetet e Bashkuara vazhdojnë t’i humbasin luftërat janë strategjike dhe strukturore.
Vendi është përfshirë në luftëra të ndërmarra me zgjedhjen e vet, ku interesat relativisht të kufizuara amerikane janë ndërthurur me objektiva jashtëzakonisht ambicioze, si përpjekja për ta riformësuar një shoqëri të huaj sipas modelit amerikan.
Si rezultat, kundërshtarët zakonisht kanë qenë shumë më të vendosur sesa Uashingtoni, sepse për ta ka qenë në lojë shumë më tepër.
Ata luftojnë për të mbijetuar ose, të paktën, për të ruajtur pavarësinë dhe autonominë e tyre. Ndërsa Shtetet e Bashkuara, në shumicën e rasteve, luftojnë për të arritur objektiva që mund të konsiderohen të dëshirueshme, por që, në fund të fundit, nuk janë jetike për interesat e tyre.
Në këto kushte, është e pritshme që kundërshtarët të jenë shumë më të gatshëm të bëjnë sakrifica sesa Shtetet e Bashkuara.
Ashtu si në shumicën, në mos në të gjitha konfliktet asimetrike, pala më e dobët nuk fiton duke arritur një fitore vendimtare në fushën e betejës, por duke shmangur humbjen dhe duke pritur derisa fuqia më e madhe të kuptojë se dërgimi i më shumë ushtarëve dhe shpenzimi i më shumë parave në një konflikt pa rrugëdalje thjesht nuk ia vlen.
Kjo formulë e thjeshtë na ndihmon të kuptojmë shumëçka rreth të gjitha këtyre luftërave të kohëve të fundit.
Në Gadishullin Korean, Shtetet e Bashkuara po mbronin interesa të rëndësishme, pasi një fitore e pakundërshtuar e komunistëve atje mund të kishte ndikuar ndjeshëm në zhvillimet e Luftës së Ftohtë në Azi.
Por Kina i konsideroi përpjekjet amerikane për bashkimin e gadishullit si një kërcënim ekzistencial dhe, në fund, sakrifikoi të paktën 200 mijë ushtarë (dhe ndoshta shumë më tepër) për ta penguar këtë rezultat.
Pas tri vitesh luftimesh të ashpra, rezultati ishte, në thelb, një barazim.
Në Vietnam, Shtetet e Bashkuara u përballën me nacionalizmin e fuqishëm të lëvizjes komuniste vietnameze, një forcë që më parë kishte mposhtur sundimin kolonial francez dhe që rezultoi e pamundur të shuhej.
Megjithëse udhëheqësit amerikanë arritën, për njëfarë kohe, t’i bindnin qytetarët se parandalimi i një fitoreje komuniste ishte një interes jetik – kryesisht duke nxitur frikë të ekzagjeruar nga efekti domino i përhapjes së komunizmit – në fund, ata e humbën besueshmërinë.
Publiku amerikan iu kundërvu një lufte që dukej se nuk kishte fund, duke detyruar tërheqjen e Shteteve të Bashkuara dhe duke i hapur rrugën triumfit përfundimtar të Hanoit.
Shumë prej të njëjtëve faktorë çuan edhe në përfundimet fatkeqe të luftërave në Irak dhe Afganistan.
Saddam Husseini ishte një udhëheqës që shkaktonte vazhdimisht probleme, por deri në vitin 2003 ai ishte vënë nën kontroll, programet e tij të armëve ishin çmontuar dhe ai nuk kishte luajtur absolutisht asnjë rol në sulmet terroriste të 11 shtatorit.
Prandaj, rrëzimi i tij nga pushteti nuk përbënte një interes jetik për Shtetet e Bashkuara, pavarësisht pretendimeve të neokonservatorëve që ëndërronin ta shndërronin Lindjen e Mesme në një rajon të mbushur me demokraci proamerikane.
Eliminimi i Saddamit nga pushteti ishte i lehtë (çka tregoi se sa pak rrezik përbënte ai në të vërtetë), por forcat pushtuese u përballën shumë shpejt me një kryengritje të fuqishme, e cila kundërshtonte sundimin e huaj dhe mbështetej si nga Irani, ashtu edhe nga Siria.
Këto dy vende nuk kishin aspak dëshirë të bëheshin objektivat e radhës në listën e Uashingtonit. Një tjetër luftë ambicioze, e ndërmarrë me zgjedhje, përfundoi në një dështim të kushtueshëm.
A nuk ju tingëllon e njohur kjo histori?
Në Afganistan, një ndërthurje e padijes, idealizmit dhe rëndësisë së kufizuar strategjike e çoi përfundimisht drejt dështimit përpjekjen luftarake amerikane.
Uashingtoni kishte arsye të forta për të ndjekur Osama bin Ladenin dhe talebanët që e strehonin. Por qëndrimi atje, me synimin për ta shndërruar Afganistanin në një demokraci të modelit perëndimor, shkaktoi një rezistencë të ashpër nga një shoqëri që e kishte fituar plotësisht reputacionin e saj si “varreza e perandorive”.
Në fund, kryengritësit ishin më të interesuar t’i dëbonin Shtetet e Bashkuara sesa vetë amerikanët ishin të interesuar t’i mposhtnin ata – nëse një gjë e tillë do të kishte qenë fare e mundur.
Përfundimisht, Trump gjatë mandatit të tij të parë dhe më pas presidenti Joe Biden vendosën t’i jepnin fund një konflikti që prej kohësh ishte kthyer në një përpjekje të pakuptimtë.
Lufta e Gjirit e vitit 1991 përbën përjashtimin e qartë nga bilanci aspak mbresëlënës i Uashingtonit.
Në kuptimin e ngushtë të fjalës, edhe ajo ishte një luftë e ndërmarrë me zgjedhje, pasi Shtetet e Bashkuara mund ta kishin lejuar Irakun ta mbante Kuvajtin pa u përballur me ndonjë kërcënim të menjëhershëm ndaj sigurisë së tyre.
Megjithatë, me kalimin e kohës, kontrolli i Irakut mbi Kuvajtin dhe të ardhurat e tij nga nafta mund ta kishin ndryshuar ekuilibrin e fuqisë në rajonin e Gjirit në mënyra shqetësuese.
Për më tepër, administrata e George H. W. Bushit ishte e shqetësuar se lejimi i një agresioni të tillë, pa u kundërshtuar, mund të krijonte një precedent të rrezikshëm.
Por, çka është shumë e rëndësishme, në këtë rast objektivat amerikane ishin plotësisht në përpjesëtim me interesat e Shteteve të Bashkuara.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre e dëbuan Irakun nga Kuvajti, e dobësuan rëndë fuqinë ushtarake irakiane dhe imponuan inspektime të rrepta e ndërhyrëse të Kombeve të Bashkuara, të cilat çmontuan programet e tij të armëve.
Por Bushi mori vendimin e mençur që të mos “marshonte drejt Bagdadit” për të rrëzuar regjimin, sepse një veprim i tillë do t’i tejkalonte kompetencat e dhëna nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së dhe do t’i detyronte Shtetet e Bashkuara të pushtonin e të qeverisnin një shoqëri të përçarë dhe armiqësore.
Meqenëse objektivat amerikane përputheshin me interesat e vendit dhe Bushi i dha fund luftës menjëherë pas arritjes së tyre, ajo konsiderohet me të drejtë një sukses i jashtëzakonshëm.
Megjithatë, për një superfuqi nuk është e lehtë të arrijë përputhjen midis interesave dhe objektivave të saj.
Duke qenë se Shtetet e Bashkuara janë kaq të fuqishme dhe objektivisht kaq të sigurta, nuk ekzistojnë shumë konflikte ku të jenë realisht në rrezik interesat e tyre jetike dhe ku sakrificat e mëdha – si ato që amerikanët bënë gjatë Luftës së Dytë Botërore – të mund të justifikohen lehtësisht.
Në të njëjtën kohë, fuqia amerikane dhe epërsia e saj teknologjike e bëjnë të lehtë ndërhyrjen në vende nga më të ndryshmet dhe i shtyjnë politikëbërësit të bindin veten se këto konflikte do të fitohen lehtësisht.
Me pak fjalë, problemi nuk është se Shtetet e Bashkuara nuk dinë të luftojnë. Problemi është se ato zakonisht zhvillojnë luftërat e gabuara, për objektiva të gabuara. Kjo minon besimin e aleatëve në gjykimin strategjik amerikan dhe e bën më të vështirë konkurrencën me rivalë të vërtetë, si Kina.
Pse vazhdon të përsëritet kjo dukuri, madje edhe nën drejtimin e një presidenti që pretendonte se ishte kundër luftërave të pafundme dhe këmbëngulte se ishte “kandidati i paqes”?
Arsyet janë të shumta, por njëra prej tyre është ngurrimi i vazhdueshëm i elitës së politikës së jashtme amerikane për të mbajtur përgjegjësi për veprimet e veta dhe për të nxjerrë mësime nga gabimet e së kaluarës.
Një ilustrim i përsosur i këtij problemi mund të gjendet në intervistën e fundit të Robert Kaganit për Responsible Statecraft.
Duhet pranuar se Kagan e ka kritikuar publikisht luftën e Trumpit kundër Iranit. Megjithatë, ai ka qenë vazhdimisht përkrahës i një politike të jashtme amerikane të mbështetur te përdorimi i forcës dhe një ndër mbështetësit publikë më të zëshëm të Luftës së Irakut.
Kur u pyet nëse ajo luftë kishte qenë një gabim, ai u përgjigj: “Nuk jam i sigurt se çfarë vlere ka të pranosh se ishte gabim. Kjo nuk do të kthejë askënd në jetë”.
Ai shtoi se keqardhja e tij kryesore ishte që lufta kishte dobësuar mbështetjen e opinionit publik për atë lloj politike të jashtme ndërhyrëse që ai mbështeste.
Për sa kohë që ngurrimi për të pranuar gabimet dhe për të marrë përgjegjësi mbetet i përhapur në qarqet e politikës së jashtme – përfshirë tashmë edhe një pjesë të madhe të lëvizjes MAGA – amerikanët do të duhet të mësohen me zhgënjimet.
Stephen M. Walt është profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Harvardit dhe kolumnist i revistës Foreign Policy.