Kryeministri i Britanisë së Madhe, Andy Burnham, tha se inkurajon Kosovën që të respektojë mandatin e plotë të Dhomave të Specializuara të Kosovës me seli në Hagë. Në një letër urimi që Burnham i dërgoi kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, udhëheqësi britanik tha se vendi i tij mbetet i palëkundur në përpjekjet e tij për të promovuar stabilitet rajonal dhe e njeh rolin kyç të drejtësisë ndërkombëtare. “E inkurajojmë fuqishëm Kosovën që t’i përmbahet zotimit për respektimin e mandatit të plotë të Dhomave të Specializuara të Kosovës, si një dëshmi e rëndësishme e pjekurisë së saj demokratike dhe përkushtimit ndaj drejtësisë së pavarur dhe të paanshme për të gjithë”, shkruhej mes të tjerash në letrën e Burnham, të publikuar nga Zyra e Kurtit. Burnham po ashtu shprehu mbështetjen “e palëkundur” për Kosovën si “shtet sovran, i pavarur dhe shumetnik”. Deklaratat e Burnham për mandatin e gjykatës, vijnë pasi në fillim të muajit tetor deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan ndryshimet në Ligjin e Dhomave të Specializuara, mekanizmit të drejtësisë në Hagë që njihet si Gjykata Speciale.