Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas gjobitjes me 500 mijë lekë të reja të një protestuesi të maskuar, i cili kreu veprime të dhunshme para Kryeministrisë gjatë tubimit të së shtunës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Bardhi e ka cilësuar gjobitjen e tij si një akt ç’njerëzor, teksa ka theksuar se i riu është rritur jetim.
Teksa tha se shteti nuk duhet të kthehet kurrë në instrument frikësimi dhe ndëshkimi ndaj të pambrojturve, Bardhi i bëri thirrje kryepolicit Skënder Hita që të revokojë gjobën prej 500 mijë lekësh të reja ndaj protestuesit.
Reagimi i Bardhit:
Të gjobisësh me 5 milionë lekë një fëmijë jetim, vetëm pse ka marrë pjesë në një protestë, nuk është thjesht një akt i paligjshëm, por një akt çnjerëzor, mizor dhe thellësisht i papranueshëm.
Shteti ka detyrimin të kujdeset për këtë fëmijë, ta mbrojë dhe t’i garantojë të drejtat e tij, jo ta gjobisë, ta frikësojë apo ta ndëshkojë në mënyrë arbitrare.
Duke e dënuar me forcën më të madhe këtë akt antihuman, i bëj thirrje Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit që, qoftë edhe për pak sekonda, të lërë mënjanë bindjen dhe shërbimin politik ndaj Edi Ramës, të revokojë gjobën e vendosur ndaj këtij fëmije dhe të tregojë, të paktën një herë, se në ushtrimin e detyrës së tij ka mbetur ende një grimcë njerëzillëku.
Sepse policia duhet të jetë në shërbim të qytetarëve, jo në shërbim të pushtetit. Dhe shteti nuk duhet të kthehet kurrë në instrument frikësimi dhe ndëshkimi ndaj më të pambrojturve.











Komente
Komento