Prania e aflatoksinës në qumësht nuk është një problem që i takon të shkuarës. Në shumë ferma dhe baxho, prodhimi blegtoral vazhdon të furnizohet me qumësht të kontaminuar. Top Channel ka arritur të sigurojë 4 fletëanaliza të datave 27-29 tetor, të cilat tregojnë nivel të lartë të aflatoksinës M1. Nëse i referohemi kufirit maksimal të BE-së për këtë mikotoksinë, ai nuk duhet të kalojë shifrën 0,050 ppb për litër. Në analizën e parë, kjo normë është tejkaluar me 208%, pasi rezultati i analizës është 0,154 ppb. Shifra alarmante shihet edhe te kjo fletëanalizë që ju shihni në ekran, ku qumështi i fermave shqiptare e ka tejkaluar normën e aflatoksinës M1 me 128%. I njëjti realitet paraqitet edhe në rastet e tjera, ku kufiri i aflatoksinës është tejkaluar me 106-104% nga niveli maksimal që lejon BE-ja.